“Përmasat e pandemisë do jenë të mëdha”, Arben Malaj: Çfarë duhet të bëjë qeveria për shëndetësinë dhe biznesin

Premte, 17 Prill 2020 15:02

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, tha në një lidhje me “Skype” për News24 se “përmasat e koronavirusit do të jenë të mëdha” dhe shqetësimi më i madh është se “nuk ka një konkluzion të shkencëtarëve”.

Duke folur për Shqipërinë, Malaj deklaroi se pandemia do të ndikojë shumë në ekonomi, e cila do ta ketë të vështirë të ringrihet, aq më tepër nëse qeveria nuk i krijon siguri.

Mes të tjerash, ish-ministri dha disa sugjerime për qeverinë, se çfarë duhet të bëjë në këtë periudhë të vështirë për të ndihmuar në ringritjen e ekonomisë, biznesit të vogël dhe të madh.

Intervista:
Kur e parashikoni rihapjen dhe si e parashikoni ringritjen e ekonomisë?
Rihapja duhet të jetë vendim i stafeve të mjekësisë. Duhet të respektojmë ekspertët tanë, që kanë përballuar një sfidë të jashtëzakonshme. Duhet të dominojë në fazën e rihapjes vendimi vetëm i ekspertëve të mjekësisë. Nëse nuk hapet dhe në vendet e tjera, çdo hapje duhet të jetë pjesore, edhe pse kjo mund të ndihmojë pak, por nuk na rikthen në normalitet. Lidhur me ringritjen, kjo do të jetë një sfidë që i mbetet në dorë politikës, mazhorancës, opozitës apo faktorëve të tjerë social. Me çfarë pritshmërie do të na zërë hapja, nëse do jemi optimistë, një pjesë e bizneseve do të ringrihen shpejt, por nëse biznesi është i pasigurt, konsumi dhe investimi i biznesit do të jetë më gradual. Kjo do të ishte një vrasje e ekonomisë. Në ringritjen e ekonomisë ka vend të vecantë së pari solidariteti që tregon qeveria, ndihma që jep.

E dyta është koha në të cilën paketa bëhet funksionale. BSH ka ulur koston e parasë, që shkojnë për të ushqyer ekonominë, por ne duhet të mbërrijmë tek ai huamarrësi i vogël. Duhen qartësuar paketat dhe duhet eliminuar do pengesë për mbërritjen e tyre në ekonomi. Në të kundërt, nëse ambienti shoqëror dhe politikë do jetë i agravuar, nuk do kemi ringjallje ekonomike, sepse krijohet pasiguri dhe kjo ul dëshirën për të investuar.

Paketat nuk e kanë lehtësuar aspak ekonominë?
Duhet të kemi shifra të sakta dhe transparente, sepse testimi më i mirë janë shifrat, sa ngelën pa punë, sa po kthehen në punë. Nuk janë të qarta paketat dhe kjo krijon pasigur ekonomike. Duhet të ketë dhe një lloj solidariteti njerëzor, sa është shuma që shkon për një familje me dy fëmijë, me tre, katër, e kështu.

 

Ka vepruar gabim qeveria, farë duhet të kishte bërë ndryshe?
Duhet të pranojmë që kur ndodhemi në ballë të kriza ne duhet të jemi të përgatitur dhe jo të fillojmë përgatitjet. Sistemi i ndarjes së pensioneve, të ndihmës sociale, të trajnimeve, këto duhet të jenë dhe të veprohet menjëherë. Fakti që ne e fillojmë aplikimin e paketave pas dy-tre javësh, do të thotë që dicka nuk funksionon. Duhet të kemi sisteme funksionale të mbrojtjes së varfërisë.

Cilët nga sektorët e ekonomisë do ndjejnë më shumë vështirësi gjatë ringritjes?
Nisur nga fakti që është shkëputur shiriti i shitje-blerjeve, këta sektorë do të preken më shumë. Do ketë një impact të konsiderueshëm jo pozitiv edhe në sektorin e bujqësisë. Shumë i prekur do të jetë sektori i turizmit. Tregu i turizmit nga muaji maj në shtator, nëse nuk bëhet në këtë periudhë, e humbet fitimin, nuk mund ta zëvendësojë. Megjithatë, mendoj se qeveria duke pasur plan se në fund të prillit mund të ketë lehtësim, duhet të bëjë një paketë të vecantë për promovuesit me kosto të qeverisë shqiptare, pra jo vetëm paketë për turizmin, por edhe për ata që vijnë në Shqipëri, në mënyrë që ata ta kenë më të lehtë për të ardhur. Turizmi duhet asistuar nga afër. Bujqësia duket se është përjashtuar totalisht nga paketat e qeverisë dhe kjo është jo korrekte. Është një sector që prodhon 18% të GDP. Do vuajmë nga mungesa e fuqisë punëtore, pasi do ikin. Edhe kompanitë fasone kanë nevojë për ndihmë, edhe pse do t’i gjejnë mundësitë.

Por ndoshta nuk është vonë, farë iu sugjeroni ju politikbërësve?
Kolegët në qeveri nuk besoj se nuk kanë informacion, por besoj se kanë presion. Shëndetësia për fat të mirë po e merr gjithë mbështetjen, dhe kjo është kryesore, por këto ndihma duhet të ndihmojnë jo vetëm për të përballuar pandeminë, por për të ndërtuar një sistem shëndetësor mç cilësor, sepse bota gjithnjë e më shumë do të përballet me pandemi. Qeveria duhet të shkurtojë në maksimum çdo burokraci, çdo pengesë për shoqërinë. Pjesa e tretë është biznesi i vogël, që me pak mund të arrijnë ta ndezin biznesin e tyre ekonomik. Mendoj se duhet të ketë më shumë grante, sesa kred. Për këto biznese, çdo burokraci që pengon lëvizjen e lirë të tyre, duhet shoqëruar edhe me kred të buta, edhe me rialokim të detyrimeve, në mënyrë që të fillojnë të punojnë. Për bizneset e mëdha duhet të shtyhen borxhet. Ka një sërë elementesh që biznesi të ndihmohet, por edhe biznesi vetë duhet të kuptojë situatën, se ishte dhe tërmeti, tani pandemia. Duhet të rikonceptojmë jetën tonë shoqërore dhe ekonomike në një botë me pandemi.

 

Login to post comments