Teksa në Infektiv ndërron jetë një tjetër qytetar i infektuar me COVID-19, vjen reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë, sipas së cilës, pacienti nga Shkodra, edhe pse i infektuar me virusi, ka ndërruar jetë si pasojë e sëmundjeve shoqëruese.
“Pacienti 69-vjeçar nga Shkodra që ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, ka humbur jetën si pasojë e sëmundjes hemoragjisë cerebrale (aksidentit vascular hemoragjik).
69-vjeçari ishte prej 13 vitesh me tumor në kokë dhe kishte kryer 3 ndërhyrje. Kishte hemorragji cerebrale dhe ishte në gjendje të rëndë në koma.
Sipas spitalit infektiv, 69-vjeçari nuk ka ndërruar jetë si pasojë e COVID-19, pasi ishte bartës i virusit, por pa shenja të sëmundjes, (asimptomatik) dhe ka ndërruar jetë si pasojë e hemoragjisë cerebrale. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe informon se do të mbajë të informuar publikun për çdo zhvillim, ndaj lutemi t’i referoheni njoftimeve zyrtare.”- thuhet në njoftimin e MSH-së.
Fatkeqësisht kjo nuk është hera e parë që ministria bën menjëherë pas vdekjes një reagim të tillë. Për më tepër, në të gjitha rastet kemi patur të bëjmë me qytetarë nga Shkodra.
E njëjta gjë ndodhi edhe më 13 prill, kur pas vdekjes së një 59-vjeçari të infektuar me COVID-19 ministria nxitoi ti bënte 'autopsinë' duke deklaruar se nuk ishte virusi shkak i vdekjes, por hemoragjia cerebrale.
Siç duket, ndoshta ngaqë nuk duan të marrin përsipër përgjegjësitë për situatën e krijuar në Shkodër, Ministria e Shëndetësisë nuk po pyet më mjekët, por vendos vetë kush vdes nga Koronavirusi e kush jo.