Në media të ndryshme dhe në rrjetet sociale janë hedhur shpesh, lajme të pakonfirmuara në këto kohë të karantinës nga COVID-19, sipas të cilave ka pasur një takim “sekret” e kokë më kokë, mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha.
Pikërisht për këtë, ky i fundit është pyetur mbrëmë në emisionin “Opinion” ku ishte i ftuar në studio.
Lulzim Basha jo vetëm i mohoi zërat për një takim të tij me Ramën, por edhe e akuzoi këtë të fundit se në vend që të bashkëpunonte me opozitën në këto kohë të vështira për vendin, zgjodhi rrugën e sulmeve të ulëta ndaj saj.
“Jo nuk kam pasur asnjë tentativë. Pse duhet të kisha tentativë. Ju e keni parë vetë çfarë sillje ka adoptuar. Kur ne propozonim masa ky dilte e shante në parlament. Pastaj kur e pa se çfarë po ndodhte, në vend që të bënte një gjest prej shtetari doli e përhapi panik dhe duke zgurdulluar sytë thoshte do shkojmë për mish qeni, mish mace, arkivole, etj. Është një regjim dhe regjimi nuk pret telefonata nga opozita. Opozita nuk e shfrytëzoi situatën për panik, pa një qeveri të papërgatitur dhe i propozoi një plan, jo se na intereson qeveria, sepse dështimi i qeverisë në ato momente do të kushtonte jetë dhe mirëqenie”, e sqaroi përfundimisht këtë konspiracion kreu i PD Lulzim Basha Basha.