Bordi drejtues i Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe drejtues të bizneseve anëtare njoftuan se zhvilluan më 29 prill një video takim me Ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, ku u diskutua gjerësisht mbi sfidat e Covid 19.
Sipas njoftimit, "ambasadorja e SHBA, Yuri Kim theksoi rolin e rëndësishëm që Dhoma Amerikane e Tregtisë ka luajtur në identifikimin e problemeve dhe rekomandimet e bëra ndaj qeverisë, me zgjidhjet që ofrojnë impakt lehtësues për bizneset. Gjithashtu, Ambasaroja vlerësoi donacionet dhe angazhimin e kompanive anëtare të AmCham për t’i ardhur në ndihmë komunitetit shqiptar në këto kohë të vështira.
Gjatë takimit, Ambasadorja Kim dhe përfaqësuesit e Dhomës Amerikane shkëmbyen mendime të drejtpërdrejta mbi sfidat që bizneseve iu është dashur të kapërcejne dhe ato me te cilat po përballen. Takimi ka shërbyer gjithashtu si një platformë per te diskutuar edhe mundësitë e përshtatshme për rihapjen e ekonomisë pa cenuar prioritetin e sigurisë shëndetësore.
Bordi i AmCham dhe drejtuesit e kompanive anëtare shprehën shqetësimin mbi situatën aktuale ekonomike dhe theksuan se nga ana e qeverisë duhet të ndërmerren masa të tjera lehtësuese për të frenuar efektet e padëshirueshme tek bizneset dhe industritë përkatëse. Forcimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe përcaktimi i korridoreve me zona të sigurta ishin gjithashtu pjesë e diskutimeve.
Rritja e shkëmbimeve tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është një nga prioritetet kryesore të ambasadores Kim dhe Dhomës Amerikane. Mbështetja e ambasadës për komunitetin e biznesit, do te ndihmojë AmCham dhe anëtarët e saj të mbështesin zbatimin e hapave të mëtejshëm të rëndësishëm që duhet të ndërmerren për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri."
Pas takimit, ambasada amerikane deklaroi se "në kohë të vështira si këto që po kalojmë, është bukur të shohësh komunitetin e biznesit të hedhë një hap përpara për të ndihmuar aty ku ka nevojë. Dje, Ambasadorja Kim bisedoi me bordin e drejtuesve të Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe drejtuesit ekzekutivë të kompanive anëtare, të cilët po punojnë për të ndihmuar komunitetin, për t’i mbajtur njerëzit të punësuar dhe për të këshilluar se si mund të ndihmohet sa më mirë komuniteti i biznesit."