Rrëzimi në Apel/ Si u përdor prokuroria politikisht kundër kreut të opozitës

E Enjte, 14 May 2020 19:01

Gjykata e Apelit Tiranë vendosi të enjten të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë lidhur me pushimin e çështjes së lobimit në Shtetet e Bashkuara për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe dy zyrtarëve të tjerë të PD, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi.

Sipas gjyqtares për mediet pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, Edlira Petri, prokuroria nuk kishte depozituar ndonjë provë të re në ankim.

 

Më 13 janar, prokuroria ishte rrëzuar edhe nga Gjykata e Tiranës, e cila vendosi se prokuroria nuk ka siguruar asnjë provë dokumentare për të mbështetur këto pretendime. Sipas gjykatës, PD i ka deklaruar rregullisht pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve pagesat për lobingun.

 
 
 

Madje edhe një akuzë qesharake e stisur për falsifikim dokumentash u pushua nga gjykata me argumentimin se ‘fakti nuk ekziston’.

 
 

Po si mund të shkojë prokuroria edhe në gjykatën e shkallës së parë, por edhe në apel pa asnjë fakt dhe provë, sikundër thonë gjyqtarët?

Dikush mund të thotë se ky vendim tregon se prokuroria është e paaftë. Por kjo do ishte më e pakëta. Ai tregon se prokuroria u përdor politikisht për gati dy vite, duke iu tërhequr fijet si një marionetë sa herë duhej, në varësi të situatës, për të sulmuar kreun e opozitës.

Gjithçka duket se nisi në dhjetor të vitit 2017, kur në krye të Prokurorisë së Përgjithshme u zgjodh Arta Marku, pa veting dhe pa numrin e nevojshëm të votave. Me një shumicë të thjeshtë, ajo u katapultua nga socialistët në krye të organit të akuzës.

Pak javë më pas, prokuroria nisi hetimin ndaj kreut të opozitës, Lulzim Basha. Ishte koha kur opozita kishte paralajmëruar protestën e 27 janarit 2018.

Kur mendohej se për këtë dosje nuk ka asnjë provë dhe fakt, siç konkludoi gjykata së fundmi, prokuroria bënte lëvizjet e saj, atëherë kur duhej. Një vit më pas, në mars të vitit 2019, kur aksioni opozitar ishte në kulm me protesta masive kundër qeverisë, prokuroria i kërkonte kreut të opozitës që të paraqitej pranë organit të akuzës.

Kjo sjellje e prokurorisë vazhdoi deri në qershor, kur mediat pranë qeverisë paralajmëronin se do bëhej edhe shoqërim i detyrueshëm i kreut të opozitës.

“Edi Rama, me metoda putiniane, ka vendosur të hapë hetime kundër meje, me akuza qesharake, të sajuara keq nga prokuroria e tij politike”, do shprehej Basha, duke akuzuar se ky është një hetim i iniciuar nga qeveria.

Shfaqja vazhdoi deri kur prokuroria u detyrua të shkonte në gjykatë me një dosje që do linte pa mend edhe studentin më të dobët të juridikut.

Të gjitha këto pretendime u shfrynë këtë të enjte, kur Apeli rrëzoi një hetim që nisi vetëm për qëllime politike dhe u katandis në një shfaqje që tregoi edhe njëherë pse shumica dërrmuese e shqiptaravë nuk besojnë te prokuroria, sipas një sondazhi të publikuar së fundmi.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...