Tashmë sheshi përpara Teatrit Kombëtar është kthyer në një manifest ku qytetarët e pranishëm janë shtuar ndjeshëm në numër dhe artistëve e aktivistëve u janë bashkuar edhe eksponentë të kampit opozitar si Monika Kryemadhi, Gazment Bardhi dhe të tjerë ish-deputetë e përfaqësues të lartë politikë të opozitës.
Në fjalën e saj para kamerave, kryetarja e LSI u shpreh edhe një herë se Teatri do të shembet vetëm atëherë kur fadromat do të kalojnë mbi trupat e tyre.
“Le të vijnë fadromat, ua kam thënë dhe ua them, do ta shembin Teatrin vetëm po kaluan mbi trupat tanë. Nuk ka nevojë as për një mijë veta, as për 100 veta, ne që jemi këtu, të kalojnë mbi trupat tanë dhe ta shembin. Beteja jonë nuk është politike, por për trashëgiminë, kulturën, për të ardhmen e fëmijëve tanë. Është si puna e verës kjo godinë, sa më e vjetër aq më e mirë është. Nuk mendoj që kryeministri italian do të shembi koloseun se do të ndërtojnë një kolose të ri. Të shkojnë diku tjetër të ndërtojnë një Teatër të ri e kanë Piramidën. Ky le të qëndrojë”, tha Kryemadhi.