Nga Tom Mustroph, Tages Zeitung
Natën duke u gdhirë e diela, ekskavatorët nisën shkatërrimin e Teatrit Kombëtar historik në Tiranë. Videot tregojnë se si krahu i një ekskavatori godet pjesën ballore të godinës derisa ajo shembet. “E gjithë fasada ishte zhdukur deri të dielën pasdite”, tha për gazetën Linda Komani, shkrimtare dhe protestuese e Teatrit. “Në orën 4:30 të mëngjesit, rreth 1500 oficerë policie sulmuan sheshin para Teatrit. Arrestuan rreth 20 persona. Përdorën gaz lotsjellës. Ishte e tmerrshme,” tha ajo.
Komani është zëdhënëse e një iniciative që po mbron ndërtesën që nga shkurti i vitit 2018. Kryeministri Edi Rama planifikon ta zëvendësojë Teatrin në qendër të Tiranës me një kompleks tregtar. Që nga korriku 2019, grupi i Komanit ka pushtuar teatrin dhe ka organizuar një kalendar me shfaqje. “Gjatë pandemisë, kemi mbajtur turnin me ndërrime,” tha Komani.
Prishja u duk si një shaka dhe e befasoi atë. “Kishim dëgjuar më parë se mund të ndodhte. Kjo është arsyeja se përse politikanët e opozitës u mblodhën me ne rreth orës 2 të mëngjesit në sheshin përpara Teatrit. Por nuk ndodhi asgjë. Politikanët u larguan rreth orës 4. Policia dhe ekskavatorët erdhën në orën 4:30 të mëngjesit,” thotë Komani, duke përshkruar dinamikën.
Një krim juridik dhe moral
Nxitje për këtë u bë fakti që një javë më parë, Teatri kaloi në pronësi të qytetit të Tiranës, nga Ministria e Kulturës. Për dallim nga ministria, e cila është e përfshirë në traktetet europiane për mbrojtjen e pasurive kulturore, administrata e qytetit nuk ka pse të zbatojë këto kritere, dyshon Komani për motivet e këtij kalimi të pronësisë. Organizata e mbrojtjes së monumenteve, Europa Nostra, e rendit Teatrit Kombëtar në listën e shtatë vendeve kulturore më të rrezikuara në Europë. Me të drejt, sic duket tani.
Presidenti shqiptar, Ilir Meta, e quajti prishjen në Facebook një ‘krim moral dhe ligjor’. Mbrojtësit e Teatrit tani shpresojnë për reagime nga Europa. Ata janë të tronditur, por nuk duan të heqin dorë. “Ne e matëm ndërtesën dhe mund ta rindërtojmë nëse ka mbështetje,” tha Komani.
Dhjetëra intelektualë protestuan kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. Policia tha se arrestoi 37 artistë dhe aktivistë që ishin ngujuar në Teatër. Një demonstratë në rrugë u shpërnda nga autoritetet. Ndër të tjerë u arrestua edhe Monika Kryemadhi, gruaja e presidentit Ilir Meta, drejtuese e një partie të vogël opozitare.