Presidenti Ilir Meta bëri publike sot platformën për bashkëpunimin mes aktorëve politikë për integrimin e vendit. Dokumenti prej 14 pikash i është dorëzuar ambasadores së SHBA dhe kryeministrit Edi Rama më 8 prill 2020. Kryeministri Edi Rama mohoi sot se kishte marrë një dokument të tillë nga kreu i shtetit.
Ndërkohë ka një fakt publik që tregon se kryeministri gënjen kur thotë se nuk ka dijeni për këtë dokument. Në pikën 10 të dokumentit të Presidentit thuhet se “në kuadrin e Këshillit Politik, palët të bien dakord brenda qershorit të emërojnë Kryenegociator për anëtarësimin në BE, një Ekspert të Nivelit të Lartë, integriteti, besueshmëria dhe profesionalizmi i të cilit është reciprokisht i pranueshëm”.
Më datën 9 maj, kryeministri Edi Rama prezantoi si kryenegociator të Shqipërisë për negociatat me BE diplomatin e njohur dhe të vlerësuar nga të gjitha kampet politike, Zef Mazi. Emërimi i tij u prit pozitivisht nga gjithë aktorët politikë në vend.
Por emërimi i një personaliteti për negociatat, rezulton se ka qenë një pikë e draftit të Presidentit Meta. Pra kryeministri jo vetëm e që ka marrë platformën, por edhe ka zbatuar një pikë të saj edhe pse pa u konsultuar me të gjitha palët.
Emërimi i kryenegociatorit për BE është prova që kryeministri po gënjen publikisht kur thotë se nuk kam marrë projekt-platformën e kreut të shtetit.
Projekt-Platforma e Presidentit Ilir Meta
Duke patur parasysh objektivin kombëtar për një proces të besueshëm, të qëndrueshëm dhe të shpejtë të anëtarësimit në BE;
Duke konsideruar se një qasje gjithëpërfshirëse është e domosdoshme për zbatimin e të gjitha kushteve që lidhen me zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare që çelin negociatat;
Duke risjellë në vëmendje problemet serioze lidhur me zbatimin e duhur të reformës në drejtësi, dhe krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë;
Duke vërejtur me shqetësim të madh mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese për më shumë se dy vjet, e cila ka cenuar mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të individëve dhe e ka lënë veprimtarinë qeveritare dhe parlamentare jashtë kontrollit kushtetues;
Gjithashtu, mos funksionimi i Gjykatës së Lartë që ka çuar rritjen e konsiderueshme të stokut të çështjeve të pashqyrtuara (më shumë se 36.000), duke u mohuar qytetarëve aksesin në drejtësi, duke shkelur kështu të drejtat themelore të njeriut;
Duke kujtuar pasojat e shkaktuara nga bllokimi politik i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për dy vite rresht, 2017-2018, dhe aktivitetin e dyshimtë të KED gjatë vitit 2019, veçanërisht nga Kryetari i KED 2019;
Duke theksuar domosdoshmërinë imediate për një sistem gjyqësor plotësisht funksional dhe efikas;
Duke vërejtur nivelin e papranueshëm të përfaqësimit në Parlamentin shqiptar, dhe përbërjen e tij në mospërputhje me dispozitat kushtetuese, (neni 64/1);
Duke kujtuar vlerësimin e pavarur dhe rekomandimet e mençura të Komisionit të Venecias, në draft Opinionin e tij të datës 6 mars 2020;
Duke mirëpritur angazhimin e forcave politike në kuadrin e Këshillit Politik, si një mekanizëm i përshtatshëm për të çuar përpara reformën zgjedhore;
Të gjitha palët duhet të ndërveprojnë përmes një dialogu konstruktiv, të dakordësohen dhe të ndërmarrin veprimet e mëposhtme:
- Mazhoranca dhe opozita (parlamentare dhe joparlamentare) të përkushtohen menjëherë për të përfunduar Reformën Zgjedhore, duke adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe përfundimet përkatëse të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të 25 marsit 2020 të Bashkimit Evropian;
- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të vazhdojë funksionimin, përfshirë ndryshimin e akteve nënligjore të tij, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias të draft-Opinionit të 6 marsit 2020. Për tre vakancat nën shqyrtimin aktual (2 nga Presidenti dhe 1 nga Parlamenti), KED duhet të vazhdojë me dorëzimin e listave të kandidatëve në secilin institucion sipas radhës kushtetuese – President – Parlament – President;
- KED duhet të lejojë pjesëmarrjen e Avokatit të Popullit në të gjithë kohëzgjatjen e veprimtarisë dhe vendimmarrjes së tij, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin;
- Mandati i Kryetarit aktual të KED përfundon në kontekstin e emërimit së fundmi të tre gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. Kryetari aktual i KED menjëherë humbet të gjitha të drejtat për të vazhduar ushtrimin e këtij mandati, tashmë të tejkaluar, si anëtar i Gjykatës së Lartë, dhe rrjedhimisht si Kryetar i KED;
- KED vazhdon të funksionojë sipas ligjit, i kryesuar nga Nënkryetari;
- Parlamenti shqiptar të plotësojë menjëherë çdo boshllëk ligjor, në mënyrë që Presidenti ose Parlamenti të mund të hedhin shortin për plotësimin e vakancave të KED brenda vitit kalendarik;
- Parlamenti shqiptar të tërhiqet dhe të frenohet nga çdo nismë ligjore për ndryshimin e formatit dhe procedurës së betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe funksionarëve të tjerë të lartë të sistemit të drejtësisë;
- Parlamenti shqiptar të tërhiqet nga “paketa anti-shpifje” dhe të frenohet për çdo nismë të ngjashme ligjore në të ardhmen;
- Çdo ndryshim ligjor ose kushtetues në lidhje me reformën në drejtësi duhet të bëhet vetëm përmes konsensusit unanim të Këshillit Politik;
- Në kuadrin e Këshillit Politik, palët të bien dakord brenda qershorit të emërojnë Kryenegociator për anëtarësimin në BE, një Ekspert të Nivelit të Lartë, integriteti, besueshmëria dhe profesionalizmi i të cilit është reciprokisht i pranueshëm.
- Të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të emërohen në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore dhe sa më shpejt që të jetë e mundur;
- Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë të miratojnë menjëherë hartën e re gjyqësore të rishpërndarjes së burimeve njerëzore brenda sistemit gjyqësor të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatave të Shkallës së Parë dhe të vazhdojnë me plotësimin e vakancave të krijuara për shkak të dorëheqjeve ose procesit të vetting-ut;
- Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet t’i japë përparësi vlerësimit të mbingarkesës së Gjykatës Administrative të Apelit dhe të propozojë masat e nevojshme që mundësojnë një proces të rregullt ligjor brenda afatit (1 muaj) në këtë Gjykatë;
- Parlamenti shqiptar duhet të shqyrtojë në një proces të drejtë, jashtë interesit politik, kandidatët e propozuar nga Presidenti i Republikës për Kryetar të Institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Sugjerimet konstruktive për të përmirësuar këtë platformë janë të mirëpritura.
Tiranë, më 08.04.2020