Shantazh dhe presioni i radhës ndaj TV Ora dhe Ora News. Në emër të kryebashkiakut Erion Veliaj, Presidentit të Yldon Media Group z.Ylli Ndroqi i është kërkuar që të ndalojë lajmet që gazetarët bëjnë për kryeqytetin, të cilat shfaqin anën ndryshe nga ajo që propagandohet me materiale të gatshme.
Zotit Ndroqit i është kërkuar të ndërhyjë për të ndaluar brenda 24 orëve lajmet që konsiderohen prej Veliajt kritike dhe nëse kjo nuk do të realizohet do të nisë largimi nga puna i të afërmve, miqve dhe kushërinjve që ka në bashkinë e Tiranës.
Me këtë mënyrë duket se kryebashkiaku ka hetuar për të verifikuar mbi rrethin miqësor të z.Ndroqi dhe në këtë mënyrë të ushtrojë presion ndaj Televizionit.
Një formë e tillë konsiderohet shantazh dhe kërkesë që cënon rëndë lirinë e medias.
Sigurisht edhe një herë z.Ndroqi thekson se nuk do të ndikojë dhe nuk do të ndërhyjë te gazetarët për ti ndaluar të kryejnë detyrën dhe misionin e tyre.
Në përgjigje të Veliajt, Presidenti i Yldon Media Group z Ndroqi shprehet:
“Lali Eri, me qetësi se “dashuri” nuk ka pasur ndonjëherë mes nesh. I bëj me dije Lali Erit se nuk kam punësuar njerëz në Bashkinë e Tiranës. Me informacionin që kam marrë ata pak të afërm apo miq të mi që kanë kontratë në Bashkinë e Tiranës, e kanë fituar atë vite më pare. Madje, këtë të drejtë e kanë fituar me meritë mbi 10 apo 15 vite më parë.
Lali Eri, ke gjetur rrugën e gabuar dhe njeriun e gabuar për të shantazhuar dhe për të ndaluar lajmet e gazetarëve. Nuk mund të shantazhosh media duke hetuar rrethin miqësor dhe duke u hakmarrë tek të punësuarit që me punën që bëjnë sigurojnë rrogën për të ushqyer fëmijët dhe familjen e tyre.
Në media publikohen lajme. Shantazhi është rruga më e gabuar për të ndaluar të vërtetën. Nëse kërkon të bësh shantazh merru me mua. Lali Eri, me kërcënimet për largimet nga puna votuesit do të kuptojnë se cilin kanë zgjedhur për të drejtuar kryeqytetin."
E sigurisht RTV Ora dhe Ora News do të vazhdojnë ti qëndrojnë besnik shikuesit dhe parimit për të qenë sa më pranë së vërtetës.