Prej disa ditëve vendi ynë po përballet me një shtim të rasteve të reja me COVID-19. Dita e sotme shënon një tjetër rekord, ku 42 persona kanë rezultuar pozitiv me virusin. Ndërkaq ditën e sotme pritet edhe mbledhja e Komiteti Teknik i Ekspertëve, ku natyrisht do të flitet për masa ndaj situatës së krijuar.
I konktatuar nga Gazeta Shqiptare, mjeku i njohur, Pëllumb Pipero është shprehur se situata do të shkojë drejt stabilizimit së shpejti. Më tej, mjeku i ka thënë Gazetës Shqiptare se nuk beson se do të rikthehen masat e ashpra që u ndërmorën në muajin mars. “Nuk besoj se do të ketë rikthim të masave, edhe gjendja do stabilizohet shpejt!”, është shprehur mjeku Pipero duke u shfaqur optimist për situatën në vend.
Ndërkohë Bashkia e Skraparit ka hapur tender për organizimin e një dreke me rastin e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” mjekut Pëllumb Pipero, raporton TvT.
Me rastin e dekorimit të mjekut epidemiolog si “Qytetar Nderi”, Bashkia e Skraparit ka vendosur që të shtrojë një drekë për nder të tij. Për këtë arsye, Bashkia ka shpallur ftesën për ofertë për të gjithë të interesuarit. Tenderi do të zhvillohet më 11.06.2020, në orën 10:30.
Dreka do të ketë 60 të ftuar, ndërsa menuja parashikon tre pjata kryesore, pije dhe fruta.
Mjeku Pipero u shpall Qytetar Nderi i Skraparit në fund të muajit mars. Me propozim të kryetarit të Bashkisë Skrapar, Adriatik Mema, këshilli i bashkisë ia dha këtë titull më 28 mars.
Titulli u dha me motivacionin “Për veprimtari të shquar profesionale dhe akademike gjatë karrierës së tij në fushën e mjekësisë, veçanërisht në atë të sëmundjeve infektive, si dhe për kontributin e çmuar profesional dhe publik ne përballimin e situatës së pandemisë të shkaktuar nga Covid-19”.