Presidenti Ilir Meta e cilësoi pozitiv vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për t’i hequr mandatin Ardian Dvoranit, ndonëse sipas tij, ishte një vendim i vonuar.
I pyetur nga gazetarët nëse heqja e mandatit të Dvoranit ishte një dhuratë për Presidenit nga Partia Socialiste, me rastin e 29-vjetorit të themelimit t kësaj të fundit, Meta theksoi se në të vërtetë çështja e Dvoranit ishte shuar që me dekretin e parë të firmosur prej tij për anëtarin e parë të Gjykatës së Lartë.
“Kjo çështje jo vetëm që është zgjidhur para 6 vitesh, por është shuar në çdo aspekt edhe të karakterit më të thjeshtë moral, me dekretin e parë të firmosur nga presidenti me anëtarin e parë të Gjykatës së Lartë. Çdo gjë tjetër ka qenë dhe mbetet një spekulim. Sa i takon reformës në drejtësi kam qenë dhe jam i vendosur të respektoj Kushtetutën”, u shpreh Meta.
Mes të tjerash, Kreu i Shtetit u pyet edhe për zgjedhjet, duke thënë se ai mendon se edhe zgjedhjet e përgjithshme, edhe ato vendore, duhej të ishin bërë dje, por si President duhet të respektojë Kushtetutën.
“Përgjigjja është e qartë, presidenti do të veprojë gjithmonë në raport me Kushtetutën. Edhe zgjedhjet e përgjithshme, edhe ato vendore, do duhej të ishin mbajtur dje, por unë do të jem tepër i vëmendshëm në respektimin e Kushtetutës dhe përmbushjes së detyrimeve të mia kushtetuese”, tha ai.