Vijon prej orëve të para të mëngjesit protesta e maturantëve para Ministrisë së Arsimit. Maturantët kërkojnë rivlerësim të provimit të djeshëm të Maturës Shtetërore, atij të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, me argumentet se ka qenë shumë i vështirë dhe i pakuptimtë.
Para ministrisë janë mbledhur maturantë nga të gjitha gjimnazet e Tiranës, të cilët aktualisht janë ulur këmbëkryq para institucionit, duke pritur një përgjigje nga vetë ministrja Besa Shahini.
Ndërkohë, lidhur me shqetësimin e maturantëve ministria ka paralajmëruar se në orën 14:45 do të ketë një konferencë nga Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA), Rezana Vrapi. Nga ana e tyre, maturantët deklarojnë se presin një përgjigje vetëm nga ministrja Shahini.