Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me anë të një ceremonie të veçantë të mbajtur në Kopshtin e Gjelbër të Institucionit dy basketbollistë të shquar shqiptarë. Presidenti Meta dekoroi Luan Shatkun (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për pasionin, përkushtimin dhe veprimtarinë e suksesshme, si lojtar basketbolli i skuadrave ‘Vllaznia’, ‘Partizani’ dhe Ekipit Kombëtar. I dalluar për lojën cilësore si sportist i niveleve të larta dhe i shquar në karrierën e tij si pedagog matematike, burim frymëzimi për të gjithë brezat e rinj.”
Ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” Presidenti i Republikës vlerësoi zotin Agim Lahi, me motivacionin: “Për kontributin e pazëvendësueshëm në zhvillimin e sportit të basketbollit, si titullar i ekipeve ’17 Nëntori’,‘Vllaznia’, ‘Studenti’ dhe Ekipit Kombëtar. Shembull i harmonisë të një sportisti të shquar dhe intelektuali të dalluar”.
foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri 1234PreviousNext
“I lumtur të vlerësoj dy personalitete sportive të cilët me punën e tyre kanë ngritur lart jo vetëm vlerat e basketbollit, por edhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në shoqërinë tonë si modele të qytetarisë. Është kënaqësi e veçantë të nderoj me titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Flamurit’ Luan Shatkun, basketbollistin dhe intelektualin e shquar, një nga kampionët e njohur të basketbollit shqiptar. Luan Shatku do të mbahet mend si një sportist i madh, si një njeri i thjeshtë dhe si një vlerë e skalitur në memorjen historike të sportit shqiptar, shumë i dashur jo vetëm nga familja e madhe e basketbollit, por dhe të gjithë shkodranët dhe shqiptarët, që e kanë njohur kudo. Po kështu kam kënaqësinë të nderoj me titullin ‘Mjeshtër i Madh’ zotin Agim Lahin, një tjetër basketbollist i madh, një njeri i respektuar dhe një personalitet i spikatur i sportit tonë. Agim Lahi është cilësuar nga të gjithë si basketbollisht dhe qytetar karizmatik i asaj kohe, lojtar i formacioneve kryesore i skuadrave më të mira si ‘17 Nëntori’, ‘Vllaznia’, ‘Partizani’, ‘Studenti’ dhe ekipi kombëtar, duke përfaqësuar basketbollin tonë në shumë gara të rëndësishme ndërkombëtare ballkanike dhe evropiane.”, tha Meta.