Kryeministri Edi Rama u shfaq në Kuvend sikur po debatonte ashpër me disa deputetë, edhe pse po fliste përpara ‘ushtarëve’ të tij.
Ai tha se do të zhdukë koalicionet parazgjedhore.
Ai tha se ato janë një shpikje shqiptare.
“Nëse ka një mekanizëm që nuk garanton votën e lirë të ndershme, atëherë është sistemi unik në OSBE i koalicioneve të përbëra. Nuk e ka asnjë vend nga Vankuveri në Vladivostok. Shpikje shqiptare, tipike hile. Që rëndon mbi standardin.
Çfarë lidhje e ndershme është kur ti i thua votuesit ke një tren me 40 parti dhe nuk ke mundësi t’i shohësh ata nëpër vagona. Hidhe votën këtu te vagoni që do të kapi dora, dhe vota jote nuk i shkon atyre që janë në vagon, por te lokomotiva ose vagoni i dytë. Dhe vagoni i dytë sillet si lokomotivë. Këtë nuk e ka askush, dhe këtë do e fshijmë. Një hile që ka karakterizuar zgjedhjet dhe ka mohuar vullnetin e shqiptarëve,” tha Rama.
Me fyerje si ‘karikatura’ apo ‘bisht lopate’ ai iu drejtua deputetëve ballistë.
“Im atë, po, ka qenë komunist si shumë të tjerë, dhe kanë qenë në anën e duhur të historisë,” tha Rama.