Nga Lulzim Basha
Kurban Bajrami është ditë e përkujtimit të sakrificës dhe dashurisë ndaj Zotit. E në këtë ditë padyshim ne kujtojmë dhe nderojmë klerikët tanë, patriotët që sakrifikuan gjithçka, madje dhe jetën e tyre për një të ardhme më të mirë për vendin e tyre me dashurinë për Zotin dhe atdheun.
Prandaj në këtë ditë të veçantë isha i lumtur të ndaja disa momente me familjarët e patriotit, luftëtarit dhe klerikut të shquar Sherif Osman Langu.
Me adhurimin për Zotin dhe dashurinë për atdheun, Sherif Langu ia kushtoi jetën e tij çështjes shqiptare dhe besimit në Zot.
Sherif Langu, ishte firmëtar i Pavarësisë dhe pjesmarrës i kuvendit të Vlorës, luftëtar i paepur për çlirimin e trojeve shqiptare në fillimin e shekullit të XX.
Si patriot, klerik i lartë dhe aktivist i shquar i epokës së tij, Sherif Langu ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë e vështirë të përballjes me copëtimin e trojeve shqiptare por dhe me regjimin komunist.
Si kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar në vitet e para pas çlirimit, ai u burgos dhe ndërroi jetë pa e parë Shqipërinë të lirë nga regjimi famëkeq. Kujtimi i tij dhe i atdhetarëve të tjerë shqiptarë që u sakrifikuan me vetëmohim për një Shqipëri të lirë për lirinë e besimit në Zot, për një Shqipëri demokratike e të zhvilluar do të mbetet për gjatë në memorien tonë historike dhe është dritë orientuese për të bërë më të mirën për vendin dhe kombin.
Sakrifica që bënë dje këta patriotë të shquar solli frytet e lirisë që jetojmë ne sot, sakrifica jonë është ogur i bardhë për ditë më të mira për fëmijët tanë.
Zoti na e ndriçoftë rrugën dhe lehtësoftë vuajtjet e çdo shqiptari.