Alfred Lela:Merkato mediatike e verës: Sandër Lleshaj në vend të Zhejit te RTV Ora

E Enjte, 06 August 2020 19:58

 

Nga Alfred Lela –

Ka një agjensi të regjistruar në Gjermani që targeton shkrimet kritike me qeverinë shqiptare dhe i ‘spiunon’ në platformat digjitale Google dhe Facebook si me ‘përmbajtje të papërshtatshme’. Prej disa vitesh tashmë portale të ndryshme ankohen dhe durojnë (çfarë të bëjnë) për censurimin që u bën agjensia Acromax në bashkëpronësi të vajzës së ambasadores së Ramës në Uashington.

Një përpjekje më e re është përqendruar rreth ligjit të ashtuquajtur antishpifje, të cilin e korrektoi dhe kritikoi Komisioni i Venecias, por shanset janë që, megjithatë, Kuvendi i mbetur pa opozitë, që do të ishte gati të kalonte edhe ëet dreams-at e Ramës si paketa legjislative, do ta shtyjë edhe këtë sa pa ndryshuar gjërat (le të hapen listat, por t’i mbyllet goja medias).

Në frontin e kronikës së përditëshme kryeministri e ka të marinuar mirë luftën me median, me gazetarë apo redaksi të veçanta, dhe gjen gjithmonë një mënyrë për të gjeneruar konflikt. Ndryshimi është se ka kaluar nga ‘të fala Sandrit’ te mensa e përgjithshme me një ‘kazan’ ku zihen të gjitha groshët që i shërbehen popullit, në mënyrë që flatulenca të shtojë zhurmën, por të mpijë kuptimin.

Absurdi bëhet omniprezenet kur skanon përmbajtjen e mediave kryesore të cilat anojnë hapur nga qeveria dhe Bashkia e Tiranës, një pol ekonomik dhe politik me fije kontrolluese mediatike. Pyetja është: pse atëherë gjithë kjo zhurmë e Ramës për gazetarët e ‘kazanit’ dhe e Veliajt për ‘lajmet anti-bashki si gjoba’. Për një arsye të thjeshtë: kërkohet një armik publik shtesë. Opozita, në disa raste, nuk ka mjaftuar sepse segmente të saj janë parë dhe perceptuar si përfituese të sistemit ekonomiko-politik nëpërmjet kanalesh dytësorë. Për të mbushur këtë vakuum Rama ka targetuar gazetarë të veçantë dhe median si armike ‘të përpjekjeve reformuese të qeverisë së tij’. Në thelb të ligjit të ri për median, ende në sirtarët e Kuvendit, është pikërisht kjo ekzigjencë: ne punojmë kurse ata shpifin, prandaj duhet t’i ndalim. Më shumë se ndalimi i shpifjes, pas trysnisë qeveritare për kalimin e ligjit, edhe më shumë në rastin kur mediat mainstream korruptohen, është frika nga ata që mund të quhen ‘zërat e rrallë publikë përtej establishmentit mediatik’. Sa më shumë konformohen bostë e medias aq më e madhe bëhet etja për zërat e pavarur. Ajo që qeveria nuk bën dot me ‘karrotën dhe shkopin’, përpiqet me me një shkop edhe më të gjatë, edhe më drakonian, ligjin.

Ora News është rasti i medias që, të paktën përgjatë harkut kohor të thuajse një viti, ka qenë kritike e qeverisë dhe më shumë e tillë me Bashkinë. Janë pjesë e rekordit publik tashmë konflikti i Ylli Ndroqit me Erion Velinë dhe gjyqi mes tyre. Gjë që e ka shtuar tehun kritik të televizionit informativ. Deri para pak ditësh, kur forcat speciale u shfaqën në dyert e institucionit mediatik pas urdhrit të SPAK për sekuestrim të pronave të Ylli Ndroqit në vijim të hetimve për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge. Afëmendsh, Ndroqi duhet të përgjigjet për problemet me ligjin, dhe askush nuk mund ta mbrojë nëse provohet në gjykatë se pronari i RTV Ora i ka kryer shkeljet për të cilat dyshohet. Dora e qeverisë, në anë tjetër, nuk duhet të jetë më e gjatë se e ligjit duke përvijuar publikisht siluetën e një goditje hakmarrëse.

Forcat speciale të Sandër Lleshajt u shfaqën, edhe njëherë më të zellshme se duhet, mu poshtë dritareve dhe tavolinave të punës së gazetarëve të Ora-s që punojnë dhe marrin rrogën te Ylli Ndroqi, por nuk janë të përfshirë në veprimtarinë e tij përtej mediatike. Çfarë rezistence dhe përthyerjeje mund të ketë linja editoriale e televizionit, motoja e gazetarëve se duhet të jenë ‘qen roje’ të qeverisë, me kapuçonë, makina police dhe armë automatike poshtë studiove dhe redaksisë së lajmeve?

Pse gjithë ky demonstrim force, përveçse për intimidim të gazetarëve të një prej mediave të pakta dhe të fundit që kanë teh kritik me qeverinë Rama?

Sa për krahasim, a do të ishte e ndershme që forcat speciale të shfaqeshin te vila e ministrit të Brendshëm në gjirin e Lalzit, dhe të frikësonin familjarët e tij, nëse nesër nis një hetim për Sandër Lleshajn?

A nuk duhet që, të dyshuarit të shpallen fajtorë, ose jo, në gjykatë para se të shpallen të tillë në sytë e një publikut të uritur për spektakël dhe të një qeverie që bën çdo lëvizje për efekt dhe për frytet që vijnë prej tij, duke mpirë shqisat e publikut?

Kemi ardhur në pikën kur ka mbetur shumë pak për imagjinatën. Një ditë, jo vetëm në vend të të perceptuarve si proqeveritarë por edhe antiqeveritarëve, Zheji me shokë, të instaloheshin si moderatorë emisionesh Veliaj, Rama, Spiropali, Lleshaj etj. Mund të ngjajë si gallatë, por paroditë e mëdha fillojnë gjithmonë nga grykat e armëve.

Të njëjtave armë që gjenden poshtë syve të trembur të kolegëve të RTV Ora.

Politiko.al

Login to post comments