Shfryhen ndihmat për tërmetin, fatura 500 mln euro po financohet nga buxheti

E Enjte, 06 August 2020 20:14

 

Më 17 shkurt të vitit 2020, në Konferencën e Donatorëve, e cila u mbajt në Bruksel për të mbledhur financime për rindërtimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019, qeveria shqiptare nëpërmjet premtimeve, siguroi një shumë prej 1,1 miliardë eurosh donacione dhe hua, e cila ishte mjaftueshme për përballimin e krejt dëmeve të vlerësuara rreth 1 miliard euro.

Praktikat e mëparshme në raste të ngjashme kanë treguar se disbursimet reale kanë qenë më të ulëta se premtimet, por pandemia Covid-19, e cila ka goditur me të njëjtin intensitet të gjitha vendet donatore e ka përkeqësuar më tej klimën e dhurimeve për Shqipërinë.

Qeveria shqiptare duket se, është pesimiste për ecurinë e disbursimit të ndihmave, përderisa ajo ka rishikuar treguesit buxhetorë në periudhën e afatmesme duke i rritur financimet për tërmetin nga buxheti i shtetit.

Për tre vitet ne vijim qeveria çoi financimet nga burimet e brendshme për tërmetin në 62 miliardë lekë, me një rritje prej 130 për qind në raport me planifikimet e janarit.

Për vitin aktual janë planifikuar të përdoren nga buxheti 31 miliardë lekë nga 20 miliardë që ishin planifikuar nga fillimi i vitit ose 55% më shumë.

Për vitin 2021 do të shpenzohen për rindërtimin 25 miliardë lekë nga 5 miliardë të planifikuara në janar ose 400% më shumë, ndërsa në vitin 2022 janë planifikuar për t’u shpenzuar 6 miliardë lekë nga 2 miliardë që ishin planifikuar në janar 2020.

Ministria e Financave kishte planifikuar në buxhetin fillestar 2020 të financonte procesin e rindërtimit me 20 miliardë lekë, nga të cilat 7 miliardë lekë do të merreshin nga ndihmat teksa, 13 miliardë lekë u morën borxh. Mirëpo deri në fund të qershorit të ardhurat nga ndihmat ishin vetëm 2,2 miliardë lekë dhe shumica e tyre i takojnë disbursimeve emergjente që u dhanë për të përballuar pandeminë Covid-19.

Fatura e rindërtimit që duhet përballuar nga buxheti u rrit më shumë se dyfishi nga fillimi i janarit duke shkuar në një total prej 500 milionë eurosh nga 217 milionë euro që ishin programuar në janar.

Financimi nga buxheti sipas Ministrisë së Financave po përballohet duke rritur borxhi publik, i cili vetëm për këtë vit do të zgjerohet me mbi 1 miliardë euro. Në muajin qershor borxhi arriti në 80% të PBB sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave./Monitor

Login to post comments