Të mërkurën, më 2 shtator ishte paraparë të mbahet takimi ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Washington, por ky takim duket se sërish nuk do të mbahet.
Burime të Telegrafit dhe RTV Dukagjinit bëjnë me dije se takimi i paraparë nuk do të zhvillohet të mërkurën dhe është shtyrë për një datë tjetër.
“Nuk do të ketë takim më datën 2 shtator në Washington. Shtyhet për një datë tjetër”, tha ky burim.
Telegrafi ka kontaktuar Zyrën e kryeministrit për një përgjigje, por sipas tyre deri tani nuk kanë diçka zyrtare.
“Deri më tani nuk e kemi këtë informacion. Zyra e kryeministrit nuk është në dijeni për këtë anulim të takimit…”, tha Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit Avdullah Hoti.
Ndryshe, takimi i 2 shtatorit ishte i planifikuar të mbahej në Shtëpinë e Bardhë, në mes të liderëve të Kosovës, kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësim të të dërguarit të presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell.
Nëse ky takim nuk do të mbahet më 2 shtator, kjo do të jetë hera e dytë që takimi i planifikuar do të shtyhet për një datë tjetër.
Ndërkaq, në muajin qershor ishte planifikuar takimi i parë në Washington, mirëpo ky takim nuk u mbajt pasi Prokuroria Speciale ngriti propozim aktakuzë ndaj presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për të cilën çështje edhe kryeministri Avdullah Hoti anuloi pjesëmarrjes e tij në këtë takim.