Meta vlerëson me dekoratën ”Nderi i Kombit” Bandën Kombëtare VATRA: Shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve do i dalin në krah atdheut

Hënë, 31 August 2020 20:52

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar me dekoratën ”Nderi i Kombit” Bandën Kombëtare VATRA për veprimtarinë të saj patriotike dhe kulturore

 

Meta një status, e nis pikërisht me vargjet e këngës ”Vlora, Vlora bjeri moj të lumtë dora” të kënduar pikërisht nga kjo bandë muzikore.

Më tej Meta thotë se nisma e Fan Nolit gjetu konkretizim përmes akteve sublime të 120 vullnetarëve shqiptaro-amerikanë.

NJOFTIMI NGA PRESIDENCA
Presidenti Meta në kuadër të kremtimit të 100-vjetorit të Luftës së Vlorës,
vlerëson Bandën Kombëtare Muzikore “Vatra” me Dekoratën “Nderi i Kombit.” dhe Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura me titullin e lartë “Kalorës i Urdhërit të Flamurit”.
31 gusht 2020

Presidenti i Republikës, Sh.T. Z Ilir Meta me anë të një ceremonie solemne, të organizuar në kopshtin e Institucionit të Presidencës, ka vlerësuar Bandën Kombëtar Muzikore “Vatra” dhe themeluesin e saj, dirigjentin dhe kompozitorin Thoma Nasi, me Dekoratën “Nderi i Kombit.”, me motivacionin:

“Për sakrificat e kontributin e jashtëzakonshëm dhënë me ardhjen në Shqipëri, në pjesëmarrjen e tyre në Luftën e Vlorës në vitin 1920, për rolin që luajtën në forcimin e marrëdhënieve diplomatike e kulturore mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar përfaqësuesve të qeverisë, ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Tiranë znj Yuri Kim, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, akademikëve, historianëve, familjarëve dhe personaliteteve të ftuara, Presidenti Meta u shpreh: “120 vullnetarë shqiptaro-amerikanë, të mbledhur dhe të përgatitur nga federata “Vatra” në SHBA, erdhën në Shqipëri për të dhënë ndihmën e tyre për çështjen kombëtare shqiptare, duke lënë Amerikën për të ndihmuar Atdheun edhe përmes muzikës e koncerteve të saj, që u shtrinë nga Shkodra në Gjirokastër, nga Elbasani në Korçë, për të dalë në Drashovicë ku ishte ndezur Lufta e Vlorës.
Me këngët e saj, Banda Muzikore “Vatra” mbajti lart moralin e forcave që luftonin furishëm në Tepelenë, Drashovicë dhe kudo përreth qytetit të Vlorës”.

Kreu i Shtetit, në kuadër të kremtimeve të 100-vjetorit të luftës së Vlorës, ka vlerësuar edhe Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura me titullin e lartë “Kalorës i Urdhërit të Flamurit”, me motivacionin:
“Si vijuese e traditës së madhe të muzikës patriotike, luftarake dhe marciale kombëtare të themeluar nga Banda Kombëtare “Vatra”, për popullarizimin me shumë sukses të krijimtarisë muzikore shqiptare dhe repertorit më të njohur ndërkombëtar në Shqipëri; si orkestra e shtetit shqiptar, që me cilësi artistike dhe disiplinë ushtarake, ka zbatuar në çdo kohë me përpikëri e përkushtim Protokollin e Shtetit Shqiptar, si formacioni muzikor unik që lartëson vlerat e Himnit dhe Flamurit tonë Kombëtar përmes interpretimeve dinjitoze e solemne”.

Presidenti Meta gjatë ceremonisë së dekorimit theksoi: “Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura është e vetmja orkestër frymore profesioniste në Shqipëri, pasardhëse e denjë e bandës “Vatra”.

Ky shembull frymëzimi duhet të na shërbejë edhe sot për të rinjtë tanë, për profesionistët apo të gjitha kategoritë e shoqërisë që e duan atdheun, se pavarësisht fushave nga vijnë, mund t’i shërbejnë Shqipërisë, zhvillimit dhe përparimit të popullit shqiptar”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh:

E nderuar zonja Ministre, e nderuar zonja Ambasadore, i nderuar zoti shef i Shtabit të Përgjithshëm, të nderuar të ftuar.
Jam i lumtur që kur na ndajnë vetëm pak ditë nga çlirimi i Vlorës dhe i gjithë Shqipërisë.100-vjet më pare.
Në kuadër të 100-vjetorit të kësaj epopeje të jashtëzakonshme, jemi përsëri së bashku, për të nderuar një shekull tradite të madhe të atdhedashurisë por edhe të muzikës shqiptare.
Sot ne nderojmë Bandën Kombëtare VATRA dhe Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura, të cilat mbartin simbolikёn e shtetit shqiptar dhe tё institucioneve tё lidhura ngushtёsisht me tё.
Këto dy banda janë e djeshmja dhe e sotmja e një tradite të bukur muzikore shqiptaro-amerikane. Kjo traditë e ka zanafillën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me krijimin e Bandës Kombëtare VATRA nga Thoma Nasi, trashëgimia e të cilës vijon sot, pas 100 vitesh, me Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura.
Krijimi i Bandës Kombëtare VATRA do të ishte i pamundur pa Federatën “Vatra”, si dhe pa kujdesin dhe angazhimin patriotik e artistik të Thoma Nasit. Banda VATRA u krijua jo si përfaqësuese e një shoqërie të veçantë shqiptarësh të Amerikës, por si emblema e vetme e tyre muzikore

Nëpërmjet Bandës, Federata VATRA zgjeroi dimensionin e saj kulturor, apo siç e ka theksuar Ernest Koliqi: “Vatra” ngrehi në krye të veprimtarisë flamurin e kulturës”.
Banda Kombëtare VATRA kishte një formacion muzikor me një ndjenjë atdhedashurie të lartë, që erdhi në Shqipëri, në momentin kur atdheu kishte më shumë nevojë për të.
Lufta e Vlorës e vitit 1920 ishte thirrja për bashkimin e të gjithë shqiptarëve kundër pushtuesve. Thënia e Nolit “Mbahu nëne, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”, gjeti konkretizimin e saj, përmes akteve sublime të më shumë se 120 vullnetarëve shqiptaro-amerikanë, të mbledhur dhe të përgatitur nga federata “Vatra” në SHBA dhe tek veprimtaria mbarëshqiptare e bandës kombëtare VATRA në atdhe.
Banda Kombëtare VATRA erdhi në Shqipëri për të dhënë ndihmën e saj për çështjen kombëtare shqiptare me luftëtarët vullnetarë, që kishin lënë Amerikën për të ndihmuar Atdheun, si dhe përmes muzikës e koncerteve të saj, që u shtrinë nga Shkodra në Gjirokastër, nga Elbasani në Korçë, për të dalë në Drashovicë ku ishte ndezur Lufta finale e Vlorës.
Me këngët e saj, Banda VATRA mbajti lart moralin e forcave që luftonin furishëm në Tepelenë, Drashovicë dhe kudo përreth qytetit të Vlorës.
Kjo luftë e pashembullt, ku luftonte një popull i vogël dhe i paarmatosur me një fuqi të madhe, kishte marrë përmasat e një betejë
epike. Dhe po epike u bë edhe kënga “Vlora-Vlora”, simboli i kësaj luftë.
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
Bjeri më të lumtë dora!
Kjo këngë simbol, e kënduar nga Banda VATRA shoqëroi Komitetin “Mbrojtja Kombëtare” dhe luftëtarët popullorë, më 3 shtator 1920, në manifestimet e fitores së luftës së Vlorës.
Edhe sot, në ditën e dekorimit të Bandës Kombëtare VATRA, kemi në dorë, për herë të parë, publikimin e studimit të Akademikut Vasil Tole “Banda Kombëtare VATRA- Një histori unike shqiptaro-amerikane” dhe CD e këngës patriotike Vlora-Vlora.
Falë Thoma Nasit dhe bandës VATRA, roli i muzikës në vitet 20-të, u ridimensionua në shoqërinë shqiptare.
Qeveritë shqiptare u angazhuan për t’i dhënë shtetit shqiptar një dimension më kulturor, për ta vendosur kulturën dhe posaçërisht muzikën në themel të identitetit të tij.
Banda VATRA dhe pjesëtarët e saj ishin kudo në Shqipëri, aty ku krijohej një formacion i ri muzikor, një botim apo një shkollë e re. Roli i saj ishte një katalizator procesesh emancipimi kulturor në vite të vështira politike dhe ekonomike për shqiptarët.
Banda VATRA është formacioni, që themeloi për të parën herë jetën muzikore në qytetet shqiptare. Solli konceptin e edukimit muzikor në shkollat tona. Ideoi botimet muzikore në vend dhe krijoi të parën Bandë Presidenciale e më pas Bandën Mbretërore të Shqipërisë.
Vlerësimi që i bëjmë sot Bandës VATRA është nderim për të gjithë anëtarët e saj dhe drejtuesit Thoma Nasi, të cilët lanë Amerikën për të ndihmuar Atdheun, që deshën mbi gjithçka lirinë për vendin e tyre dhe që e shprehën këtë dashuri me muzikën e tyre.
“Një komb që arrinte të krijonte të tilla grupe si Banda “Vatra” dhe të donte muzikën aq sa njerëzit e shprehnin këtë me vërshimin nëpër koncerte, natyrisht që meritonte lirinë e tij”- do të shprehej profesor Sederholm, pjesëtar i grupit të Lidhjes së Kombeve që monitoronte kufirin jugor të Shqipërisë në vitet 1920-të.
Banda VATRA mbetet edhe sot një shembull frymëzimi për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve, të cilët në kohën kur atdheut i nevojitet liria, demokracia dhe progresi duhet të kontribuojnë për të mbrojtur dinjitetin dhe integritetin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve!
“Patriotizëm do të thotë t’i dalësh në krah vendit tënd,” ka thënë Presidenti Amerikan Roosevelt. Shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve do i dalin gjithmonë në krah atdheut për të mbrojtur lirinë dhe progresin e popullit shqiptar.
Në nderim të gjithë veprimtarisë patriotike dhe kulturore të Bandës Kombëtare VATRA, kam kënaqësinë që t’i akordoj dekoratën e lartë “Nderi i Kombit.”
I përjetshëm kujtimi dhe vepra e Bandës Kombëtare VATRA!

 

Login to post comments