“Shqipëria parajsë për pastrimin e parave”, Alibeaj: Qeveria bashkëpunon me krimin, paraja e pistë po mbyt biznesin e ndershëm dhe shtresën e mesme

Hënë, 07 September 2020 12:12

 

“Projekti politik i Edi Ramës për të bashkëqeverisur me krimin e organizuar e ka shndërruar Shqipërinë në parajsën e pastrimit të parave të pista nga trafiku i drogës dhe nga korrupsioni në çdo nivel të qeverisjes.” -kështu u shpreh përmes një deklarate për mediat ish deputeti demokrat Enkeled Alibeaj, ndërsa theksoi se paraja e pistë po mbyt biznesin e ndershëm dhe shtresën e mesme.

“Për 4 vite rresht raportet zyrtare të Uashingtonit e cilësojnë Shqipërinë si “vend kryesor për pastrimin e parave”, për shkak të korrupsionit, shtimit të rrjeteve të krimit të organizuar dhe zbatimit të dobët të ligjit nga qeveria.

I njëjti shqetësim është ngritur nga strukturat e specializuara të Këshillit të Europës dhe, së fundmi, edhe nga organizata të huaja që llogarisin se në Tiranë, vetëm në 3 vitet e fundit, janë pastruar rreth 1.6 miliardë euro në sektorin e ndërtimit.” – u shpreh ai.
Deklarata e plotë:
Projekti politik i Edi Ramës për të bashkëqeverisur me krimin e organizuar e ka shndërruar Shqipërinë në parajsën e pastrimit të parave të pista nga trafiku i drogës dhe nga korrupsioni në çdo nivel të qeverisjes.

Imazhi i Shqipërisë është ai i një vendi ku lehtësisht mund të investohen dhe të pastrohen paratë e aktivitetit kriminal. Ky nuk është një konkluzion i Partisë Demokratike, por është gjetje konstante e Departamentit Amerikan të Shtetit.

 

Për 4 vite rresht raportet zyrtare të Uashingtonit e cilësojnë Shqipërinë si “vend kryesor për pastrimin e parave”, për shkak të korrupsionit, shtimit të rrjeteve të krimit të organizuar dhe zbatimit të dobët të ligjit nga qeveria.

I njëjti shqetësim është ngritur nga strukturat e specializuara të Këshillit të Europës dhe, së fundmi, edhe nga organizata të huaja që llogarisin se në Tiranë, vetëm në 3 vitet e fundit, janë pastruar rreth 1.6 miliardë euro në sektorin e ndërtimit.

 

Cili është reagimi i qeverisë në ikje të Edi Ramës? A po e lufton qeveria fenomenin e pastrimit të parave, i cili ndikon drejtpërsëdrejti në rrënimin e biznesit të ndershëm, apo që zhvlerëson kursimet e shtresës së mesme me çmime stratosferike artificiale?

Shqiptarët e kanë provuar në lëkurën e tyre se kryeministri në ikje jo vetëm nuk ka në plan të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, por ka shumëfishuar aktivitetin kryesor të pastrimit të parave, dhënien e lejeve të ndërtimit në të gjithë vendin, veçanërisht në kryeqytet dhe në bregdet.

 

Një sërë ndërtimesh të mëdha në Tiranë; projekte të resorteve turistike në bregdet, mbi pasuritë e vjedhura publike dhe private; një pjesë e mirë e koncesioneve po mbështeten me para të pista dhe janë mekanzima për riciklimin e parave të ardhura nga droga dhe korrupsioni.

Në vend që të luftojë pastrimin e parave, qeveria në ikje e Edi Ramës tentoi të bëjë amnisti fiskale për ligjërimin e parave të pista të krimit dhe të korrupsionit të qeveritarëve.

Me Partinë Denokratike në krye të qeverisë së vendit nuk do të ketë amnisti fiskale për krimin dhe për pastrimin e parave të pista të pushtetit të korruptuar.

Plani ynë “Ndiq paranë” do të jetë një instrument i fortë që në Shqipëri të sundojë ligji, puna e ndersh, në mënyrë që paratë e krimit dhe të korrupsionit qeveritar të mos i zënë frymën ekonomisë së familjeve shqiptare.

Login to post comments