Shërbimet e fundit të Rilindjes ndaj oligarkëve, qeveria fal troje dhe pasuritë publike

E mërkurë, 09 September 2020 13:39

 

Shtatë muaj para zgjedhjeve qeveria “Rama” ka vendosur të bëjë shërbimet e fundit ndaj oligarkëve dhe njerëzve që pret t’i garantojnë mandatin e tretë. Një vendim qeverie i datës 2 shtator thuajse heq gjithë taksat për qeratë ndërtesave shtetërore dhe trojeve në zonat turistike. Konkretisht çmimi i qerasë shtetërore për trojet në bregdet ulet deri në 80 %. Pra nëse më parë paguhej 1 0 lekë për metër katror të një prone shtetërore me qera në bregdet, sot do të paguajë 20 lekë. E njëjta gjë dhe për godinat shtetërore që janë përqendruar kryesisht në Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Shkodër, Lezhë etj. Nëse qerja shtetërore më herët ka qenë 100 lekë për metër katror, sot do të paguajnë 33 lekë.
Vendimi duket si një masë lehtësuese për biznesin që kërkon të investojë. Por problemi komplikohet kur sheh listën e atyre që përfitojnë nga këto prona. Për të marrë një objekt shtetëror me qera ka ligj të posaçëm dhe komision të ministrive përkatëse që bën vlerësimin. Biznesmenë të ndershëm që kërkojnë hapësira me qera ka plotë, por vetëm pak prej tyre arrijnë të kalojnë komisionet dhe të fitojë. Ata që marrin këto prona janë zakonisht miqtë e njerëzve të rilindjes, oligarkët që i bëjnë procedurat me një telefonatë dhe biznesmenët që paguajnë ryshfete për të përfituar nga skemat e qeverisë.
Vendimi i fundit i qeverisë duket më shumë si një favor që qeveria “Rama” u bën oligarkëve në prag të ikjes nga pushteti. Sepse biznesmenët e ndershëm që kanë nevojë reale për ndihmë nga shteti, nuk i fut njeri në këto procedura dhe skualifikohen që në fillim. Dëmi ekonomik dhe humbja e pasurive publike është kolosale. Nuk bëhet fjalë për hapësira modeste, por për troje dhe godinë që arrijnë në qindra mijëra metra katrorë. Me uljen e qerave shteti merr më pak lekë nga përdoruesit e pronave dhe dëmi u shkaktohet financave të shtetit.
Por ka dhe një arsye tjetër alarmante për bujarinë e Rilindjes ndaj oligarkëve. Në bazë të ligjeve speciale të qeverisë “Rama”, nëse një biznes ka kryer investime që tejkalojnë vlerën e pronës shtetërore, pas disa vitesh mund ta blejë atë dhe të bëhet pronarë. Kjo do të thotë se sot nuk po jepen prona shtetërore me qera, por po falen pasuri publike për njerëzit afër kupolës së rilindjes. Një praktikë e tillë nuk ka lidhje me reformat dhe ndihmën ndaj biznesit. Është korrupsion i pastër që duhet ndëshkuar nga institucionet e drejtësisë dhe gllabëruesve të pronave publike u duhet hequr mundësia që të tallen me qytetarët dhe ligjet e këtij vendi.
Vendime të tilla për dhënien me qera të pronave publike nëshkruhen për periudha deri në 20 apo 30 vjeçare. Dëmi ekonomik nuk vlen vetëm për sot. Rilindja nuk po vjedh vetëm taksat e qytetarëve, por parashikon që të vijojë vjedhjen me oligarkët për dekada.

Login to post comments