Qeveria heq bastet sportive, por kthen Tiranën në qendër të kazinove për pastrim të parave të pista

E Enjte, 10 September 2020 08:19

 

Me një vendim të fshehtë, pasi mbylli vjet pikat e basteve dhe kumarit, qeveria ka vendosur dje “liberalizimin” e kazinove. Qendra e Tiranës planifikohet të kthehet në lagjen e bixhozit. Kushdo ka 1 milion euro mund të hap një kazino, por vetëm bota e krimit zotëron shuma të tilla që do t’i hapin për të pastruar paratë e mafies.

Qeveria “Rama” ka vendosur në mënyrë të fshehtë miratimin e ligjit për hapjen e lojërave të fatit. Bëhet fjalë për kategorinë e kazinove, por që tashmë do të funksionojnë me rregulla krejtësisht të reja nga ato që ishin më parë dhe mund të hapen lehtësisht. Çdo person që ka 1.2 miliard lekë (1 milion euro) të depozituara në bankë dhe ambiente mund të nis aktivitetin. Qeveria ka përcaktuar dhe zonat ku lejohet ushtrimi i aktivitetit dhe bëhet fjalë për qendrën e Tiranës, kryesisht zona ish-Bllokut. Në vendimin e firmosur nga zëvendëskryeministri Erion Braçe, jepen lagjet ku lejohen lokalet dhe lejet për kazino. Ato fillojnë nga Rruga e “Barrikadave”, Bulevardi “Zhan D’Ark” dhe përfundon te rruga “Xhorxh Ë. Bush”. Pra ato do lejohen qendra e kryeqytetit dhe zonat ku më shumë aktivitet ekonomik dhe lëvizje qytetarësh. Vendimi praktikisht liberalizon tregun e kumarit. Në ligjin e ekzistues për lojërat e fatit kazinotë lejoheshin vetëm në hotele me pesë yje dhe synimi ishte për të mos dëmtuar turizmin. Me aktet e reja ligjore të qeverisë, kushdo që ka 1 milionë euro mund të hapë një kazino poshtë pallatit apo dhe para shkollave dhe gjimnazeve.

 

Vendimi është marrë në mënyrë të fshehtë, pasi qeveria e ka firmosur në datën 2 shtator dhe vetëm dje u publikua në Fletoren Zyrtare. Në faqen zyrtare të qeverisë, ku publikohen aktet e Këshillit të Ministrave vendimi është “fshehur”. Por fshehja e qeverisë para këtij akti nuk është problemi më i madh. Ajo që është alarmante lidhet me standardet e kësaj qeverie. Në dhjetor të vitit 2018 kryeministri Edi Rama nisi një fushatë personale për mbylljen e lojërave të fatit. Në shënjestër u vendosën pikat e basteve sportive që kishin mbirë si kërpudhat në çdo cep të Tiranës. Nisma e kryeministrit u mbështet nga pjesa më e madhe e qytetarëve, përfshirë edhe mediat kritike ndaj tij. Heqja e pikave të basteve, të cilat ishin burim i krimit dhe vesit mbetet nga të paktat gjëra për të cilat kjo qeveri mund të mburrej. Mbyllja e basteve pati kosto, sepse shumë njerëz mbetën pa punë dhe buxheti i shtetit humbi një sasi jo të vogël taksash. Por përfitimi i shoqërisë ishte më i madh, sepse kumari si ves nuk ishte më model për të rinjtë para shkollave dhe as burim i krimit.

Vendimi i qeverisë “Rama” për liberalizimin e kazinove nuk është thjesht kthim pas, por degradim i ligjit për lojërat e fatit. Kryeministri hoqi nga tregu lojërat e fatit me 200 lekësha për ndeshje sportive dhe do të kthejë qendrën e Tiranës në një lagje të kumarit dhe të vesit. Në parim vesi dhe kumari nuk kontrollohen dot totalisht me ligj, sepse gjithmonë gjejnë mënyra për të mbijetuar, siç ka ndodhur edhe këtë vit. Por liberalizimi në këtë formë që ka zgjedhur qeveria nuk është asgjë tjetër veçse një mënyrë për të pastruar paratë e krimit të organizuar. Kushdo që ka 1 milionë euro mund të hyjë në biznes dhe kjo shifër nuk është e pamundur për ata që përfaqësojnë botën e krimit e duan të pastrojnë miliardat. Biznese të tilla jo rastësisht lejohen në periferi të qyteteve ose në zona turistike në shtetet fqinje. Modele të tilla kanë vendet e rajonit pa fund. Askush nuk i fut kazinotë në qendrat e banuara, madje dhe në zemër të kryeqytetit.

Buxheti i shtetit është drejt falimentimit dhe ekonomia nuk prodhon më asgjë, por zgjidhja nuk mund të jenë paratë e kumarit.

Ndaj edhe një veprim të mirë e popullor që pati bërë Edi Rama e zhbëri dje me firmën e zv/kryeministrit të qeverisë së tij.

Login to post comments