Një javë përpara vizitës në Tiranë të delegacionit të deputetëve francezë të grupit të miqësisë Francë-Shqipëri, mediat pariziene i kanë kushtuar hapësirë edhe Shqipërisë e problemeve që janë shkaktuar kryesisht nga qeverisja e keqe.
“Le Monde diplomatique” mujorja e njohur franceze me numrin më të madh të artikujve të shpërndara në botë dhe Radioja Franceze “France Culture” kanë qenë kritike ndaj sjelljes së qeverisë kundrejt qytetarëve duke sjellë kaos shoqëror dhe eksod masiv të njerëzve.
Artikulli i Le Monde, e njohur për artikujt e saj pro së majtës është një shuplakë ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama që vjen në një periudhë decisive sa i përket marrëdhënieve të dy vendeve apo edhe situatës që po kalon vendi.
Media me qëndrime të majta europiane, thekson faktin që Rama është një kryeministër i ardhur nga Partia Socialiste, pjesë e të majtëve europianë dhe kritikon mënyrën se si janë trajtuar problemet e vendit, që pas 2013 kanë ardhur duke u rënduar.
Artikulli i Le Monde nis me një përshkrim të vendodhjes së Shqiprisë dhe tragjedisë së kaluar nga tërmeti i nëntorit, ku numri i viktimave ishte i lartë për shkak të ndërtimeve kuturu.
Më tej, artikulli ndalet tek intervista e kryeministrit Edi Rama dhënë për mediat italiane, ku theksonte se Shqipëria është një vend ideal për të bërë biznes e me një klimë të favorshme, por sipas të dhënave të artikullshkruesve, situata është krejt e kundërta.
“Edi Rama, drejtuesi i Partisë Socialiste dhe kryeministër që nga viti 2013, është ithtari kryesor i “mrekullisë ekonomike shqiptare” për të cilën ai flet në Itali. Ai pretendon se, pas dekadave të emigrimit, Shqipëria është tani një destinacion i ri për investitorët e madje edhe për fuqinë punëtore migratore italiane.
Por statistikat tregojnë se që nga viti 1989 Shqipëria ka pasur shkallën më të lartë të emigracionit në Evropë, me migrim neto shumë negativ në 2018 dhe 2019″,-thuhet në artikull.
Pikyetje ngrihen edhe mbi figurën që kryeministri Edi Rama është përpjekur të ndërtojë në rrafshin ndërkombëtar. Sipas Le Monde, Rama bën një lojë të shkëlqyeshme të jetës së tij të mëparshme si një artist vizual, madje në samitet ndërkombëtare kultivon imazhin e tij si një ‘përçarës’ dhe si partneri i domosdoshëm i BE-së, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit islamik dhe qëllimin për të stabilizuar Ballkanin.
Kjo çon në kontradikta: pavarësisht se është ateist dhe një avokat entuziast i anëtarësimit në BE, Rama është gjithashtu një mik i Presidentit të Turqisë Erdogan dhe ishte i lumtur të përjashtonte mësuesit Gylenistë me kërkesën e Turqisë.
“Rama ka ndjekur politika më agresive neoliberale sesa fqinjët e tij ballkanas apo paraardhësit e tij të PD,- shkruan Le Monde, -a ka ndërmarrë shkurtime të shpenzimeve publike dhe partneritete publike-private në arsimin e lartë, turizëm, shëndetësi dhe punët publike deri më tani sa që FMN e ka kritikuar”.
Më tej artikulli i Le Monde ndalet edhe te ndërhyrja brutale të Teatri, ku edhe në këtë rast, ka dyshime për ligje e vendime klienteliste, që pas shembjes së një monumenti kryesor në Tiranë fshiheshin interesa për të ndërtuar kulla nga Shkëlqim Fusha.
Dhe në fund, theksohet se pa një alternativë dhe shoqëri të kontrolluar fort nga autoritetet dhe kontaktet e tyre të ngushta të biznesit, shqiptarët tundohen të emigrojnë. Emigrim i cili u rrit në nivele të larta vetëm një vit pasi Edi Rama erdhi në pushtet.