Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të rikthehet në fokus të dialogut Kosovë-Serbi këtë të enjte, porse autoritetet kosovare insistojnë se kjo temë “do të jetë vetëm pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet të dyjave vendeve”.
Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit Avdullah Hoti thotë se Kosova do të kushtëzojë zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë Serbe me njohjen reciproke.
Ai e konfirmoi këtë qëndrim për Radion Evropa e Lirë, para se ekipet e ekspertëve të të dyjave vendeve të takohen të enjten në Bruksel, ku do të diskutojnë “për aranzhimet rreth komuniteteve joshumicë dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronave”.
Beqiri insiston se Kosova nuk do të nënshkruajë marrëveshje të veçanta për çështje specifike.
“Qëndrimi zyrtar i delegacionit të Kosovës dhe i kryeministrit po ashtu, është se asnjë marrëveshje, sado e vogël, për çështje që duken të parëndësishme, nuk mund të arrihet, nëse nuk arrihet marrëveshja finale, ligjërisht e obligueshme, gjithëpërfshirëse, ku do të përfshihet edhe njohja”, deklaroi Beqiri për REL.
Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Më 2015, të dyja vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kishin arritur një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni, porse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur që parimet për Asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Megjithatë, Kushtetuesja përcakton se parimet mund të harmonizohen me akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Kjo çështje ka nxitur debate të ashpra e protesta masive në Kosovë.
Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke folur në një debat në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian tha se Kosova do ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të vitit 2015. Pas kthimit në Prishtinë, ai tha se “zbatimi i marrëveshjes do të bëhet në përputhje me secilën shkronjë të Kushtetutës”.
Sidoqoftë, mbetet e paqartë se si do të procedohet tutje, kur kihet parasysh se një ekip menaxhues në gusht të 2018-tës, i përbërë nga katër anëtarë serbë – Vinka Radosavljeviq, Dejan Radojkoviq, Igor Kallamar dhe Svetisllav Durleviq – kishte dorëzuar në Bruksel një draft-statut për funksionalizmin e Asociacionit, i cili nuk u diskutua asnjëherë dhe mbeti në sirtarët e BE-së. Ky ekip menaxhues, i emëruar zyrtarisht nga Qeveria e Kosovës, kishte autonomi të plotë në punën e vet.
Thaçi: Rihapja e temës së Asociacionit, kthim prapa për Kosovën
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një deklarimi për media në Prishtinë më 15 shtator, u shpreh kritik për rihapjen e temës së Asociacionit në dialogun me Serbinë, duke e cilësuar këtë gjë si “kthim prapa për Kosovën”.
Presidenti Thaçi deklaroi se takimi i së enjtes, në mes të ekipeve të ekspertëve, është i rrezikshëm duke shtuar se askush nuk ka të drejtë që të arrijë një marrëveshje të re për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Rihapja e çështjes së Asociacionit përsëri në Bruksel, pas një dekade, është rikthim prapa për Kosovën. Është goditje ndaj shtetësisë së Kosovës dhe cenim i sovranitetit e me rrezik për krijimin e ‘Republikës Serbe në Kosovë’. Për diçka të tillë mendoj se Parlamenti i Kosovës duhet të jetë shumë i vëmendshëm. Këtë të drejtë nuk e ka askush që të ulet të diskutojë as të negociojë e lëre të pretendojë të arrijë ndonjë marrëveshje të re për Asociacionin”, u shpreh Thaçi.
BE konfirmon diskutimet për Asociacionin
Në BE nuk i janë përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse draft-statuti i ekipit menaxhues është ende valid apo nëse do të jetë temë diskutimi.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, i tha Radios Evropa e Lirë se në takimin e së enjtes do të ketë diskutime për aranzhimet e përgjithshme, në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Asociacioni/Bashkësia ishte mekanizëm që u gjet në 2013-tën për të adresuar nevojat e komunitetit joshumicë serb. Është esenciale që si pjesë e negociatave për marrëveshje gjithëpërfshirëse, të adresohen aranzhimet e përgjithshme për komunitetin joshumicë”, deklaroi Stano, pa specifikuar përmbajtjen e “aranzhimeve të përgjithshme”.
Partnerja në koalicionin qeveritar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është zënë në ‘befasi’ nga rihapja e temës së Asociacionit dhe zotimi i kryeministrit Hoti në Parlamentin Evropian për zbatimin e marrëveshjes të vitit 2015.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, që vjen nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, në një deklarim për Radion Evropa e Lirë tha se kjo çështje as që ishte temë diskutimi në takimet e javës së kaluar në Bruksel, gjatë një vizite zyrtare të delegacionit qeveritar të Kosovës.
“Mund të konfirmoj se në asnjë takim që kam qenë unë, Asociacioni nuk u hap si temë. Gjatë vizitës së fundit në Bruksel, unë i kam pasur tri takime me kryeministrin dhe asnjëherë nuk u hap si temë. Temat kanë qenë (raportet me) Brukselin, përditësimi për dialogun dhe ka pasur pyetje që kanë qenë publike prej deputetëve. Dhe me sa e di unë, me sa më kujtohet, askush nuk ka pyetur për këtë temë”, tha Tahiri, duke shtuar se nuk ka njohuri se çfarë do të ndodhë në procesin tjetër dialogues të Brukselit.
Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, që vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka emëruar Skender Hysenin si koordinator për dialogun me Serbinë, gjë që kishte acaruar raportet LDK-AAK, ku kjo e fundit kishte kërkuar publikisht përfshirjen e zyrtarëve të saj në proces. Hyseni nuk ka dhënë detaje për temat që do të diskutohen.
Pas takimit të ekspertëve këtë të enjte, përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka paralajmëruar një takim në nivel liderësh, brenda muajit shtator.
Pas emërimit në këtë post në prill të këtij viti, Lajçak pati thënë se dialogu Prishtinë-Beograd nuk do të jetë proces i pafund, duke paralajmëruar marrëveshje eventuale brenda një viti. Edhe mandati i tij fillestar është i kufizuar në 12 muaj.