Mungesa e turistëve të huaj sidomos gjatë muajit gusht e ka çuar në pikiatë importet e mallrave të akcizës, të cilët e thelluan tendencën rënëse të nisur që në fund të tremujorit të parë për shkak të pandemisë.
Teksa ekonomia ka tentuar t’i kthehet normalitetit, sektori i turizmit dhe në përgjithësi konsumi këtë verë është goditur nga mungesa e vizitorëve të huaj në vend.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave importi i karburanteve gjatë 8 mujorit shënoi rënie me -1,2%, por tkurrja ishte më e dukshme në muajin gusht kur importet ishin 8.7 për qind më të ulëta se në gushtin e vitit 2019. Burimet nga tregu e lidhin këtë rënie me një kërkesë më të ulët, si rrjedhoje e kufizimeve të udhëtimeve nga jashtë.
Për të njëjtat arsye shihet të këtë rënë edhe importi i cigareve, por ka qenë edhe më e fortë. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave gjatë 8 mujorit importet e cigareve shënuan rënie me 14 për qind, por gjatë gushtit ritmet e rënies u thelluan më tej, me 26% më pak se gushtin e vitit 2019.
Ecuri të njëjtë shënuan edhe importet e kafesë, të cilat shënuan rënie vjetore me 5,7 për qind në 8 mujor, por në gusht tkurrja ishte me 28%.
Burimet nga tregu pohuan se, rënia e importeve të kafesë lidhet edhe me mbifurnizimet gjatë pandemisë.
Gjithashtu në muajin gusht u vu re një ulje e importeve të birrës me 8.7%, teksa rënia në tetë mujor ishte me 4.4%. Burimet nga tregu thanë se, konsumi i birrës u lidh direkt me rënien e konsumit për shkak të numrit më të ulët të vizitorëve në vend dhe mbylljen lokaleve të muzikës në orët e vona, ku zakonisht konsumohej birra.
Rënia e importeve të mallrave të akcizës ka ndikuar negativisht të ardhurat në buxhetin e shtetit. Gjatë 8 mujorit doganat grumbulluan 11.1 për qind më pak se vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, ndërsa në muajin gusht hendeku ishte 15 milionë euro më pak se në gushtin e vitit 2019, ose 12.3% rënie.
Gjatë periudhës janar-korrik numri i shtetasve të huaj, që kanë vizituar Shqipërinë, ka pësuar rënie me 64.7%./MONITOR