Kreu i opozitës Lulzim Basha, tha se PD prej dy vjetësh po punon me ekspertët më të mirë vendës dhe të huaj për hartimin e një programi ekonomik dhe politik që do nxjerrë vendin nga humnera ekonomike. Koncesionet do i nënshtrohen hetimit administrativ, ndërsa abuzuesit me paratë publike do jenë pjesë e ligjit antimafie. Për biznesin e vogël, Basha premtoi se do paguajë vetëm 0.5% taksë të xhiros vjetore, duke hequr çdo detyrim tjetër përfshirë dhe ato të pushtetit vendor. Kreu i opozitës përjashton çdo mundësi bashkëqeverisjeje me Ramën, duke u shprehur se kryeministri kërkon pushtet për të vjedhur, dhe për këtë do mbajë përgjegjësi penale dhe politike pas daljes në opozitë.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, tha dje se opozita ka një program konkret për të qeverisur ku preken të gjitha shtresat e shoqërisë. Basha tha se po punohet prej dy vitesh me ekspertët më të mirë të vendit dhe me konsulencën e partnerëve gjermanë. Shefi i opozitës shtoi se oferta e PD nuk sjell e as nuk premton mrekulli, por zhvillim. Sipas Bashës, ekipi i tij qeverisës do jetë ekspertiza më e mirë që ka vendi, dhe do jetë në shërbim të njerëzve dhe jo partive politike apo oligarkëve.
Biznesi
Një pikë e rëndësishme e programit politik të opozitës është biznesi i vogël. Ai tha se taksa e sheshtë do të jetë 9 për qind. Biznesi i vogël, nën 140 mln lekë të vjetër xhiro vjetore do paguajë vetëm një taksë, 0.5 për qind të xhiros, dhe në të do mblidhen taksat e pushtetit lokal. Pra, një biznes fjala vjen me 20 milionë lekë në vit, do paguajë sipas këtij premtimi vetëm 100 mijë lekë të vjetër në vit, dhe më pas shkallë-shkallë sipas xhiros. Basha tha se do të hiqen taksa dhe tarifa arbitrare bashkiake, siç është fjala vjen ajo për shkollat. “Prej më shumë se dy vjetësh PD është në një punë serioze për një program realist konkret për ta nxjerrë vendin nga kriza.
Janë disa nga ekspertët më të njohur në botë dhe ekipi im ekonomik që është ekipi më i mirë në Shqipëri që po punojnë. Është një proces që është fragmentuar sipas çdo sektori. Nuk ka premtime për mrekulli, premtime false për 300 mijë vende pune, por ka zgjidhje konkrete. Biznesi i vogël kemi një trajtim tjetër. Do klasifikohet biznes i vogël çdo biznes me xhiro vjetore nën 140 milionë lekë të vjetra dhe do paguajë një taksë të vetme që është 0.5% e xhiros vjetore dhe asnjë lloj tatimi tjetër qendror ose lokal. E gjithë kjo pjesë e taksës do t’i dedikohet pushtetit vendor, por taksa të çmendura si taksa për shkollën apo tarifa të tjera që vjedhin qytetarët dhe biznesin, nuk do të ekzistojnë më”, tha Basha. Kreu i opozitës theksoi se shtresa e mesme do të jetë prioriteti i tij.
Duke vënë në dukje se aktualisht vetëm 20 mijë vetë në vend janë shtresë e mesme, ai tha se do punojë për shumëfishimin e kësaj kategorie, që sipas tij është më vitalja, kreativja dhe do çojë Shqipërinë përpara. “Në vlerësimin ekonomik, shtresë e mesme në Shqipëri janë ata individë që kanë mbi 1 milion lekë të ardhura në muaj. Me këtë pavarësi financiare shtresa e mesme përbën lokomotivën e zhvillimit të një vendi. Shtresa e mesme është garancia e demokracisë. Sa shqiptarë kanë sot paga mbi 1 milion lekë? Vetëm 20 mijë shqiptarë kanë paga mbi 1 milion, që do të thotë se sistemi ka dështuar. Kemi 900 mijë të varfër dhe disa njerëz që janë multimiliarderë. Ligji i shtresës së mesme është se shtresa e mesme ndihmon vetveten që të shumëfishohet”, tha Basha
Koalicioni me PS
Kryetari i PD në fjalën e tij përjashtoi çdo lloj koalicioni me partinë socialiste për zgjedhjet, madje paralajmëroi dhe ndjekje penale për vetë Ramën, dhe ministrat e tij në rast se fiton zgjedhjet. Basha tha se votat do dalë që t’ia kërkojë me një program ekonomik konkret, por në asnjë rast nuk mund t’i përdorë ato për t’i bashkuar me kundërshtarin e tij politik. Sipas Bashës, kryeministri aktual kërkon pushtet për të vjedhur, dhe kreu i opozitës tha se në rast se PS duhet që të pastrohet duhet të shkojë në opozitë. “Nuk do të shkoj të bëj qeveri me Edi Ramën sepse ministrat e Edi Ramës duhet të mbajnë përgjegjësi. Ata duhet të shkojnë në opozitë dhe të distancohen nga krimi dhe korrupsioni.
Është e paimagjinueshme që PD të bëhet fasadë e kësaj. Oferta nga Rama? E kam thënë në konferencë për shtyp. Ato oferta tregojnë vetëm një gjë, panikun e humbjes që i ka kapur dhe që për pushtet janë të gatshëm të bëjnë gjithçka. Mandati i tretë për ta është për çfarë? Për të vjedhur? Edi Rama dhe ministrat e tij duhet të mbajnë përgjegjësi penale dhe politike, sepse vendi t’i japë fund kulturës së pandëshkueshmërisë, duhet distancim nga korrupsioni dhe nga krimi, sepse është e paimagjinueshme që PD të bëhet fasadë e një sekti në dëm të interesave të vendit”, -tha Basha.
Koncesionet
Basha deklaroi se qeverisja e nesërme e opozitës do të ndërmarra vendime të forta për të luftuar oligarkinë. Sipas tij, çdo kontratë e koncesionare e lidhur në mënyrë abuzive do i nënshtrohet një hetimi të thellë administrativ, madje ata që kanë përfituar para në mënyrë abuzive do jenë subjekt i ligjit antimafie, që do të miratohet nga parlamenti i ardhshëm. “Do të ketë një hetim administrativ nga ana e qeverisë për çdo kontratë koncesionare dhe atyre që i kanë përfituar do t’u duhet që të justifikojnë çdo qindarkë që kanë marrë.”
Duke denoncuar korrupsionin dhe abuzimin galopant të qeverisë me fondet publike, me taksat e shqiptarëve, Basha përmendi vlerësimet për këtë të raporteve ndërkombëtare. Departamenti i Shtetit apo institucione të tjera, kanë vënë re se kjo është qeveria më e korruptuar në 30 vite. Duke sjellë një shembull konkret, Basha tha se në çdo 1 mijë lekë që tenderon qeveria, 500 vidhen nga zyrtarët./Mapo.al