Presidenti Ilir Meta paralajmëroi kryeministrin Edi Rama, teksa e krahasoi situatën politike në vend me një pengmarrje në autobus. Meta tha para gazetarëve se të gjithë e dinë fatin e pengmarrësit, kur ai nuk pranon të vendosë kontakte dhe të shpëtojë pengjet.
Me tone të forta, Kreu i Shtetit tha se nuk do të sakrifikohet e ardhmja evropiane e Shqipërisë as për kokën e Ilir Metës, as për kokën e Edi Ramës apo të Lulzim Bashës.
“Qëndrimet e Presidentit kanë qenë të gjitha të qarta, se çfarë do të bëjë mazhoranca, është puna e saj dhe unë s’i pengoj dot të bëjnë vendime të marra. Por që vendi të merret peng dhe e ardhmja evropiane të merret peng për shkak të një bande oligarkësh, banditësh, kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. Kam qenë dhe kryeministër dhe jam ndeshur me situata të vështira. Ju e dini që kur një person merr peng një autobus, përpiqesh të vendosësh me të një kontakt që të shpëtojnë të gjithë, edhe qytetarët, por edhe pengu mos të ketë fat të keq. Por kur rrezikohen të gjithë qytetarët, pastaj merren vendime të forta dhe askush nuk do ta ketë fajin, nëse do të ketë të zgjedhur që për fatin e tij të sakrifikohet populli.
Nuk do të sakrifikohet e ardhmja evropiane e Shqipërisë as për kokën e Metës, as të Ramës apo Bashës, Shqipëria ka qenë përpara nesh dhe do të mbijetojë sërish. Nuk do të ketë lojëra, nuk do të ketë më as marrëveshje kundër zgjedhjeve, është vetëm marrëveshja e 5 qershorit, dhe e vetmja gjë që i shtohet është hapja e listave 100%. Tani do të iki në Dibër, në vendlindjen e Elez Isufit, që gjithë jetën e tij luftoi kundër gjithë pushtuesve dhe ta dinë të gjithë që ky është një vend që pas 25 prillit do iu takojë gjithë qytetarëve shqiptarë dhe kurrsesi një kaste të papërgjegjshme