Presidenti Ilir Meta ka takuar sot në Presidencë homologun e tij të Bosnje- Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç. Gjatë konferencës për shtyp, Presidenti Meta tha se ka folur me homologun boshnjak për të gjitha çështjet e marrëdhënieve dypalëshe, por edhe në rrafshin rajonal.
Mes të tjerash, Kreu i Shtetit Shqiptar theksoi se Shqipëria do vijojë të mbështesë fuqishëm Bosnje-Hercegovinën në të gjitha proceset evropiane dhe euro-atlantike.
“Pavarësisht rrethanave të pandemisë, kryetari ishte i angazhuar për të zhvilluar këtë vizitë. Gjatë takimit diskutuam për të gjitha cështjet e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe në rrafshin rajonal. Ramë dakord që marrëdhëniet të forcohen me një ritëm të ri, në mënyrë që të bashkojmë përpjekjet jo vetëm mes dy vendeve, por edhe në vendet e rajonit, që t’iu japim të rinjve një të ardhme më të shpejtë evropiane.
Dialogu shumë i mirë politik, që kemi pasur në nivel presidencial, besojmë se do të nxitet edhe në të gjithë nivelet e tjera. Në mënyrë të veçantë të rrisim shkëmbimet ekonomike dhe tregtare, si dhe të bashkojmë përpjekjet mes dy vendeve për të përmirësuar infrastrukturën. Konfirmova me kënaqësi rritjen e numrit të vizitorëve nga Bosnje-Hercegovina, por do na duhet të nxisim më shumë mekanizmat për të rigjallëruar ekonomitë tona.
Ne jemi dy vende që do të përfitojmë nga një mbështetje afatgjatë nga BE, nëpërmjet planit evropian për ekonominë, që do të shpallet pas dy ditësh. Shqipëria ka qenë gjithmonë në krah të Bosnje-Hercegovinës dhe do vijojë të mbështesë fuqimisht këtë vend në proceset evropiane dhe euro-atlantike”, tha Meta.