Presidenti Ilir Meta shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Gjergj Vlashi. Meta thekson se Vlashi ishte një personalitet i shquar i komunitetit të artit durrsak dhe kombëtar.
Sipas tij, Gjergj Vlashi do të mbetet një model i rëndësishëm frymëzimi dhe referimi në Durrës e jo vetëm, për krijimtarinë e tij të begatë e të spikatur në vite.
“I pikëlluar për ndarjen nga jeta të shkrimtarit, përkthyesit, dramaturgut, regjisorit dhe njërit prej themeluesve të estradës shqiptare, Gjergj Vlashi, personalitet i shquar i komunitetit të artit durrsak dhe kombëtar. Me shumë tituj librash të shkruar e të përkthyer, si edhe me dhjetëra shfaqje artistike të vëna në skenë, Gjergj Vlashi do të mbetet një model i rëndësishëm frymëzimi dhe referimi në Durrës e jo vetëm, për krijimtarinë e tij të begatë e të spikatur në vite, por edhe për intensitetin e jetës intelektuale në shërbim të qytetit, artit e kulturës shqiptare. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Vlashi dhe të gjithë komunitetit të artistëve për këtë humbje të madhe! U prehsh në paqe Mjeshtër!”, shkruan Meta.