Presidenti Ilir Meta thotë se situata e pandemisë nxori në pah edhe më shumë problematikat me të cilat ndeshen mësuesit dhe sistemi ynë arsimor.
Sipas tij, pa masa të menjëhershme si “rritja e investimeve në arsim, pajisja e mësuesve me aftësi digjitale, apo sigurimi i internetit në çdo cep të vendit, kriza që kaluam në këtë periudhë, mund të kthehet në një katastrofë për vendin dhe të ardhmen e tij”.
Kreu i shtetit thote se eshte “detyrë e qeverisë t’i sigurojë këto, ashtu siç është detyrë e saj të mbrojë shëndetin dhe mirëqenien e mësuesve dhe të përmirësojë kushtet e punës, kudo ku ata japin kontributin e tyre të jashtëzakonshëm”.
Deklarata u be gjate vlerësimit te shtatë mësuesve të spikatur me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit.
Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, Kreu i Shtetit vlerësoi me Dekoratën “Nderi i Kombit”Ndrec Ndue Gjokë (pas vdekjes), me motivacionin: “Për kontributin e lartë dhënë si luftëtar i formacioneve partizane në luftën për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë, si dhe përpjekjet e jashtëzakonshme për nxjerrjen e trevës së Fanit e Mirditës nga prapambetja në fushën e arsimimit.Brenda një kohe të shkurtër ia doli mbanë të bindë të rinj e të reja, burra e gra, për të frekuentuar kurset kundër analfabetizmit, duke thyer tabu e ndryshuar mentalitetin për shkollimin”.
Gjithashtu, Presidenti Meta i akordoi Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” zotit Bajram Kruja, zonjave Violeta Kraja dhe Albina Peppo, ndërsa Titulli “Për Merita të Veçanta Civile” iu dha zotit Ruzhdi Begaj, zonjës Bukuroshe Shabani dhe zonjës Vera Çuedari për punën e tyre të palodhur në edukimin e brezave të tërë nxënësish.
Në fjalën e rastit të mbajtur në prani tëmësuesve, kolegëve, familjarëve si dhe drejtuesve të “Sindikatës së Pavarur te Arsimit të Shqipërisë’, Presidenti Meta u shpreh:
“Të dashur mësuese dhe mësues!
Jam i lumtur që, sot, në Institucionin e Presidentit të Republikës, jeni së bashku për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Mësuesit dhe njëkohësisht, për të nderuar në mënyrë të veçantë disa prej jush.
Dita Ndërkombëtare e Mësuesit, është një ditë që shërben për të bërë të njohur rolin thelbësor të mësuesit në edukimin e nxënësve e studentëve dhe në zhvillimin e shoqërisë, nëpërmjet një edukimi cilësor patriotik dhe gjithëpërfshirës.
Ky vit, me pandeminë COVID-19, na ritheksoi rolin e patjetërsueshëm të mësuesve për të siguruar një edukim të vazhdueshëm, një mirëqenie mendore e mbështetje psikologjike për nxënësit e tyre.
Në këtë kohë krize, mësuesit tanë treguan, ashtu siç kanë bërë gjithmonë, shpirt novator dhe udhëheqje për nxënësit e tyre, duke punuar për të gjetur zgjidhje dhe mënyra të reja për mësimdhënien, me qëllim që mësimi të mos ndalonte.
Por, kjo situatë, nxori në pah edhe më shumë nga problematikat me të cilat ndeshen mësuesit dhe sistemi ynë arsimor.
Pa masa të menjëhershme si: rritja e investimeve në arsim, pajisja e mësuesve me aftësi digjitale, apo sigurimi i internetit në çdo cep të vendit, kriza që kaluam në këtë periudhë, mund të kthehet në një katastrofë për vendin dhe të ardhmen e tij.
Është detyrë e qeverisë t’i sigurojë këto, ashtu siç është detyrë e saj të mbrojë shëndetin dhe mirëqenien e mësuesve dhe të përmirësojë kushtet e punës, kudo ku ata japin kontributin e tyre të jashtëzakonshëm.
Ne jemi të ndërgjegjshëm për rolin thelbësor të mësuesve për edukimin e brezave të rinj si dhe për të ardhmen e vendit, prandaj, në Ditën Ndërkombëtare të Mësuesit, dëshiroj të vlerësoj disa prej tyre, që me shembullin e dhënë janë bërë burim frymëzimi për qindra e mijëra nxënës dhe kolegë të tyre.
Vlerësimi i parë shkon për një mësues, simbol i arsimit në Shqipëri, Ndrec Ndue Gjoka, i cili gjatë gjithë jetës së tij, ndezi dhe ngriti peshë zemrat e nxënësve edhe fëmijëve, duke ju mësuar shkrim e këndim dhe duke ju rrënjosur dashurinë për arsimin e për Atdheun.
Ai ishte mësuesi i shkronjave, mësues i popullit, që kontribuoi për hapjen e mëse 50 shkollave të gjuhës shqipe, dhe që flijoi jetën për kauzën e shenjtë të arsimit.
“Kurrë mos e harroni shkollën. Kjo na jep dritë. Pa shkollë s’ka dituri e pa dituri s’ka liri e as jetë”, – ka thënë mësuesi Ndrec Ndue Gjoka, duke ndjekur shembullin dhe rrugën e mësuesve atdhetarë të Rilindjes Kombëtare, të cilët sakrifikuan deri jetën e tyre, për shkollën dhe germat shqipe, ashtu si Petro Nini Luarasi e shumë të tjerë.
Po ashtu, në Ditën Ndërkombëtare të Mësuesit, kam kënaqësinë të vlerësoj disa mësues, të cilët kanë dhënë gjatë gjithë jetës së tyre, një kontribut të çmuar në edukimin e brezave, kanë qenë shembull frymëzimi për mijëra të rinj e të reja, dhe kanë përçuar vlera të larta qytetarie dhe përkushtimi kudo ku kanë punuar dhe drejtuar.
Vlerësoj me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”:
Z. Bajram Kruja: I cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, si në procesin e mësimdhënies, si mësues në qytetin e tij Shkodër, ashtu edhe si drejtues i Sindikatës së Pavarur të Arsimit Shqiptar për 20 vite, duke u dalluar për ndjenjën e lartë të përgjegjësisë dhe përkushtimin në kryerjen e detyrave. Z.Kruja i ka shërbyer arsimit dhe mësuesve me devotshmëri, duke dhënë kontribut të vyer në reformat demokratike në arsimin shqiptar.
Znj. Violeta Kraja: Gjatë gjithë punës së saj si mësuese, si në qytetin e Durrësit ashtu edhe të Tiranës, ju ka mësuar më shumë se 5000 të rinjve e të rejave, jo vetëm gjuhën frënge, por edhe çfarë është integrimin europian dhe sesi të ngremë ura komunikimi me vendet dhe popujt e tjerë të botës. Kontributi i znj. Kraja, si formatore pedagogjike për mësuesit e rinj të gjuhës frënge dhe si autore e një metode bashkëkohore, dedikuar shtetasve francezë për të mësuar gjuhën shqipe, kanë sjellë vlerësimin e saj jo vetëm nga strukturat e arsimit shqiptar, por edhe ato francez.
Znj. Albina Peppo: Është dalluar gjatë gjithë karrierës së saj 42 vjeçare në rrethin e Korçës, për punën e shkëlqyer, jo vetëm në mësimdhënie, por edhe për kontributin e saj për uljen e numrit të nxënësve që braktisin shkollën, për të cilën është vlerësuar kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht. Znj. Peppo është një nga mësueset më të dalluara në vend, për zbatimin e metodave pedagogjike bashkëkohore dhe transmetimin e eksperiencës së saj mësuesve të rinj.
Vlerësoj me titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile”:
Z. Ruzhdi Begaj: Ka dhënë një kontribut të shquar në konsolidimin e shkollës dhe reformimin e saj në vite, duke u bërë simbol i figurës së ndritur të mësuesit qytetar dhe misionar për edukimin shkencor dhe atdhetar të shumë brezave të nxënësve. Kontributi i z. Begaj ka qenë i madh, jo vetëm për edukimin e brezave të rinj të qytetit të Vlorës, por edhe në fushën sindikaliste, si partner social me institucionet lokale dhe kombëtare edukative.
Znj. Bukuroshe Shabani: Ka punuar me përkushtim gjatë gjithë jetës së saj, si mësuese në qytetin e Elbasanit dhe është dalluar për nivel të lartë mësimdhënie. Përdorimi i metodave efikase të mësimdhënies, ka bërë që të vlerësohet maksimalisht, jo vetëm nga nxënësit e saj, por edhe nga institucionet drejtuese të arsimit. Përveçse si mësuese e dalluar, znj Shabani është dalluar edhe si organizatore dhe aktiviste e shkëlqyer në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të mësuesve.
Znj. Vera Çuedari: Është dalluar për pasionin, vlerat dhe arritjet profesionale në përmbushjen e misionit të edukimit të brezave, si dhe për punën cilësore në procesin mësimor edukativ dhe për strategji efektive në mësimdhënie, si në qytetin e Çorovodës, ashtu edhe në atë të Tiranës. Znj.Çuedari është dalluar veçanërisht, për arritje dhe cilësi të lartë të nxënësve të saj, në maturat shtetërore dhe olimpiadat kombëtare, me fitimin e shumë çmimeve të larta prej tyre.
Edhe një herë urimet më të përzemërta, sepse e çmoj jashtëzakonisht punën që ju bëni edhe për një arsye personale, sepse të dy prindërit e mi kanë qenë mësues, dhe e di shumë mirë sesa i përjetoni ju shqetësimet, sukseset pozitive dhe problemet e nxënësve!