Ndryshimi i ligjit të zgjedhjeve nga Partia Socialiste ditën e hënë ka shkaktuar reagimet e para të forta të ndërkombëtarëve. Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë, Oliver Varhelyi, deklaroi dje gjatë prezantimit të raport progresit për Shqipërinë se ndryshimi i Kodit Zgjedhor në mënyrë të njëanshme mund të bëhet pengesë për konferencën e parë ndërqeveritare të programuar në muajin dhjetor. “Po e shohim çështjen e reformës zgjedhore me sy të hapura mirë dhe do shkoj t’i shoh gjërat vetë në terren. Shpresoj që kjo mos të kthehet në një çështje për të ndarë të dyja vendet për konferencën e parë ndërqeveritare. Kjo vërtetë nuk do ishte mirë”,- deklaroi dje Oliver Varhelyi.
Deklarata e komisionerit u bë pak pas prezantimit të raportit për Shqipërinë, i cili është një dokument vjetor ku Komisioni Europian i sugjeron Këshilli Europian për plotësimin e kushteve të Shqipërisë dhe procesin e integrimit. Raporti çdo vit ka qenë me nota pozitive për Shqipërinë dhe këtë herë, në pjesën më të madhe theksonte kritikat për korrupsionin dhe mos ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, kryesisht Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë kryeministri Edi Rama e vlerësoi si pozitiv raportin e BE dhe si shenjë suksesi të reformave të qeverisë. Për kryeministrin raporti nuk kritikonte as votimin e njëanshëm të ndryshimeve Kushtetuese dhe Kodit Zgjedhor. Por në dokumentin e BE thuhet qartë se ndryshimi i Kodit nuk ishte pjesë e rekomandimeve të OSBE dhe votimi i dy ditëve më parë në Kuvend u bë pa konsensus. “Këto ndryshime që nuk kanë lidhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR kërkuan ndryshime të mëtejshme në Kodin Zgjedhor, të cilat u diskutuan midis partive në Këshillin Politik, por pa arritur një kompromis para Parlamenti i votoi ata në 5 tetor”, – thuhet në dokumentin e BE-së për Shqipërinë.
Në publikimin e raportit, socialistët kanë shfrytëzuar me dinakëri dhe momentin kur u bë votimi antiligjor. Parlamenti votoi ditën e hënë, raporti është përmbyllur po ditën e dhënë dhe u publikua të martën. Brenda pak orëve nga shkeljet e qeverisë është vështirë që gjithë situata absurde me votimet e rilindjes për listat, koalicionet dhe detajet e tjera të jenë sqaruar siç duhet te ndërkombëtarët. Ndaj në dokumentin e BE shkeljet e fundit të rilindjes janë kaluar vetëm me pak fjali, por që në thelb nuk i miratojnë ato. BE thotë qartë se Kushtetuta u ndryshua jashtë rekomandimeve të BE dhe ndalimi i koalicioneve u bë pa konsensus politikë.
Ndërkohë atë që raporti i Bashkimit Europian e thotë në mënyrë tërthortë komisioneri Oliver Varhelyi e deklaroi në konferencën për shtyp. Në BE janë të paqartë për aktet e fundit të qeverisë dhe ndaj komisioneri do të jetë sot në Tiranë për të takuar të gjitha palët politike lidhur me krizën e shkaktuar nga reforma zgjedhore.
Ndërkohë sinjali i parë për dëmet që i ka sjellë negociatave kryeministri Edi Rama është dhënë. Ndryshimet e njëanshme ligjore dhe cënimi i standardit të zgjedhjeve mund të kthehen në pengesë për takimin e parë ndërqeveritar mes Shqipërisë dhe BE në muajin dhjetor. Rreziku është që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut, e cila nuk ka të njëjtat probleme serioze që ka krijuar këtu qeveria “Rama”. Veç shkatërrimit të reformës zgjedhore, Shqipëria duhet të ketë ngritur para dhjetorit Gjykatën Kushtetuese. Edhe ky proces vijon të mbahet peng qëllimisht nga ana e qeverisë “Rama”. Vetëm duke mos pasur Gjykatë Kushtetuese, Rilindja mund të bëjë të gjitha këto akte anti ligjore duke venë në rrezik serioz jo vetëm integrimin, por edhe stabilitetin e vendit.
Presidenti Meta mbrëmë te emisioni i Sonila Meços paralajmëroi se do të përballet dhëmbë për dhëmbë me kryeministrin, edhe në popull dhe me popull, pasi Rama po bëhet pengesë për integrimin e Shqipërisë në BE. Meta theksoi se synimi i Rilindjes për të marrë prapë pushtetin nuk ka asnjë shans të ndodhë dhe se Edi Rama është njeriu më i urryer në popull.