Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” Hatixhe Farkën, simbolin e nënave tiranase që shtëpitë e tyre të thjeshta në rrugicat e Tiranës i kthyen në baza të luftës.
Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ kreu i shtetit thekson se Hatixhe Farka ishte shembull i përkushtimit, sakrificës dhe atdhedashurisë së pakufishme në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Sipas tij në shtëpinë e saj në Kodrën e Kuqe u strehuan Vojo Kushi, Xhoxhi Martini, Sadik Stavileci si dhe Muharrem Llanaj.
“Shtëpia e Hatixhe (Ije) Farkës në Kodrën e Kuqe, ku u strehuan Vojo Kushi, Xhoxhi Martini, Sadik Stavileci, Muharrem Llanaj dhe shumë antifashistë të tjerë, ishte një nga bazat e rëndësishme të Luftës Antifashiste në Tiranë, që hapi dyert edhe për shumë ilegalë.
Ije Farka, mbetet simbol i nënave tiranase që shtëpitë e tyre të thjeshta në rrugicat e Tiranës i kthyen në baza të luftës, madje kur u shtrua nevoja edhe në kështjella të qëndresës antifashiste.
Si shembull i përkushtimit, sakrificës dhe atdhedashurisë së pakufishme në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, simbol i përjetshëm i heroizmit të nënës tiranase, e cila nuk u lëkund nga ideali për çlirim kombëtar megjithë torturat, burgosjet e familjes dhe flijimin e bijve të saj për lirinë e atdheut, pata sot kënaqësinë e veçantë ta vlerësoj me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.”, shkruan Meta.