Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHSH)e cilëson si antikushtetues ndryshimin e Kodit Zgjedhor nga ana e Partisë Socialiste dhe opozitës parlamentare. Në një deklaratë për mediat, KSHH konkretisht ndalet në nenin që garanton kandidimin e kreut të partisë në 4 zona zgjedhore.
Sipas, KSHH kandidimi i kryetarit të partisë në disa zona zgjedhore, shkel nenin 18 të Kushtetutës sonë dhe nenin 14 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
“KSHH mendon se shtesa e mësipërme që i është bërë nenit 67 të Kodit Zgjedhor bie ndesh me parimet e barazisë dhe të mosdiskriminimit që parashikon neni 18 i Kushtetutës sonë dhe neni 14 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ-së). Rregulli që sanksionohet në ligj se kandidati për deputet mund të regjistrohet vetëm në një zonë zgjedhore, është i drejtë dhe i ligjshëm, por përjashtimi për kryetarët e partive është kompromis që bie ndesh me parimet e përmendura më lart”,- thuhet në reagimin e KSHSH.
Sipas KSHH një kompromis i tillë ka qenë tepër i nxituar sepse është anashkaluar trajtimi i këtij problemi në Raportin e OSBE/ODHIR-it të 14 shtatorit 2009 lidhur me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit thotë se kreu i partisë duhet të ketë të njëjtin status ligjor kandidimi, ashtu si kandidatët e tjerë. “Përjashtime nuk ka arsye të bëhen: Kryetari i Partisë apo i partisë udhëheqëse të koalicionit i regjistruar në listën shumëemërore ka të njëjtin status ligjor: atë të kandidatit si dhe kandidatët e tjerë”,- thuhet në deklaratën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Deklarata e plotë e Komitetit Shqiptar të Helsinkit:
Në datën 5 Tetor 2020, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, miratoi Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor”. Sipas informacioneve të medias, neni 67 i Kodit Zgjedhor të ndryshuar, kryetarit të partisë apo të partisë udhëheqëse të koalicionit i njihet e drejta e kandidimit si deputet deri në katër zona zgjedhore.
Kjo shtesë në nenin e mësipërm, siç është thënë, u bë në bazë të kompromisit të arritur midis opozitës dhe mazhorancës parlamentare.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) është i ndërgjegjshëm se në veprimtarinë parlamentare, kur është rasti, konsensusi dhe kompromisi janë të rekomandueshme dhe të nevojshme, por gjithmonë në përputhje dhe pa cenuar Kushtetutën dhe standartet ndërkombëtare.
KSHH mendon se shtesa e mësipërme që i është bërë nenit 67 të Kodit Zgjedhor bie ndesh me parimet e barazisë dhe të mosdiskriminimit që parashikon neni 18 i Kushtetutës sonë dhe neni 14 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ-së).
Rregulli që sanksionohet në ligj se kandidati për deputet mund të regjistrohet vetëm në një zonë zgjedhore, është i drejtë dhe i ligjshëm, por përjashtimi për kryetarët e partive është kompromis që bie ndesh me parimet e përmendura më lart.
KSHH mendon gjithashtu se një kompromis i tillë ka qënë tepër i nxituar sepse është anashkaluar trajtimi i këtij problemi në Raportin e OSBE/ODHIR-it të 14 shtatorit 2009 lidhur me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009. Në këtë Raport, midis të tjerave thuhet se Kodi Zgjedhor (është fjala për Kodin e ri Zgjedhor të miratuar në Dhjetor 2008) vazhdon të ketë dispozita të paqarta dhe të mjegullta.
Në këtë vështrim, përmendet në mënyrë të veçantë neni 67, paragrafi 3 i Kodit Zgjedhor që i lejon krerët e partive politike të kandidojnë në aq zona sa dëshirojnë. Kjo thuhet në Raport – bie ndesh me parimet e barazisë dhe ato të mosdiskriminimit. Në referenca përmenden: neni 26 i Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike, neni 7 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Protokolli 12 i KE-së për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe lirive themelore, paragrafi 76 i Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së (faqja 6 e Raportit). Ndërsa në Rekomandimet “B” “Kuadri Ligjor” në pikën 2 theksohet: “Duke patur parasysh parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit, duhet rishikuar dispozita e Kodit Zgjedhor që u jep, kryetarëve të Partive politike të drejta të veçanta kandidimi.” (Faqja 31 e Raportit).
Vlen të përmendet se Rekomandimi i mësipërm, u konsiderua i drejtë dhe u reflektua në ndryshimet që iu bënë Kodit Zgjedhor të vitit 2012 ku në pikën 4 të nenit 67 thuhej: “Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumëemërore në një zonë zgjedhore ose kandidati për Këshillin e Bashkisë, nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish”. Përjashtime nuk ka arsye të bëhen: Kryetari i Partisë apo i partisë udhëheqëse të koalicionit i regjistruar në listën shumëemërore ka të njëjtin status ligjor: atë të kandidatit si dhe kandidatët e tjerë.