Partia Demokratike ka reaguar për akuzat që kryeministri Edi Rama, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla dhe zyrtarë të tjerë të PS kanë bërë në adresë të kryedemokratit Lulzim Basha për rolin e tij si zyrtar i UNMIK.
Në një deklaratë të PD-së thuhet se akuzat dhe lajmet e sajuara nga PS nuk dëmtojnë Lulzim Bashën, por imazhin e Kosovës dhe Shqipërisë. “Në asnjë ditë të punës së tij në UNMIK, Lulzim Basha nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndaj anëtarëve apo drejtuesve të UÇK-së. Ky është një fakt i konfirmuar edhe nga ish- Kryeprokurori i EULEX, Williamson. Deklaratat e rreme të orkestruara nga Edi Rama nuk dëmtojnë aspak Lulzim Bashën. Ato shkojnë kundër interesit kombëtar, duke dëmtuar imazhin e Kosovës dhe Shqipërisë”,- thuhet ndër të tjera në reagimin e PD.
Partia Demokratike shprehet se një sulme të tilla me akuza dhe shpife janë bërë ndaj kreut të PD edhe në fushatat e mëparshme elektorale. “Sa herë është para humbjes së zgjedhjeve, Edi Rama zbaton të njëjtin skenar shpifjesh kundër Lulzim Bashës. E bëri atë në 2005-ën, në 2011-ën dhe po riciklon sërish skenarët e denja për Sigurimin e Shtetit. Të tillë skenarë imagjinarë kundër Lulzim Bashës do të dëgjoni pa ndërprerje deri në 25 Prill! Rama nuk ka asnjë alternativë dhe nuk ka me çfarë ta mbulojë tjetër dështimin e 8 viteve në pushtet. Përbuzeni Edi Ramën dhe mercenarët e tij!”,- thuhet në reagimin e PD.