PD ka denoncuar sot përmes anëtarit të Këshillit Kombëtar, Akil Kraja një tjetër skandal sipas saj që po ndodh me fondin e rindërtimit. Kraja u shpreh se Bashkia e Tiranës ndërton 2.4 milionë euro godinë të re për Tatimet me paratë e njerëzve që kanë mbetur pa shtëpi.
“Sipas vendimit që Erion Veliaj ka marrë, godina e re e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve do të ndërtohet te zona e “5 Maji”, ku janë tenderuar banesa për të pastrehët e tërmetit me vlerë 52 milion euro. Nga 12 godina që do të ndërtohen, kjo e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve do të zërë një sipërfaqe rreth 5 mijë m2 nga hapësira ku duhet të ishin ndërtuar banesa për të prekurit nga tërmeti.”- tha Kraja.
Deklarata e plotë:
Të dashur qytetarë!
Këmbanat e alarmit po dëgjohen sërish!
“Hajdutët e Fatkeqësisë”, Edi Rama dhe Erjon Veliaj, si hutat që presin viktimën të japë shpirt, po i vijnë vërdallë “Fondeve të Rindërtimit”, dhe bashkë me shpurën e tyrë të matrapazëve, po i zhvasin qytetarëve, miliona euro, që do të shkonin për shtëpitë e tyre.
Arkitektura perfekte e së keqes, po dëshmohet çdo ditë. Rasti konkret, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila gjendet pas shpinës sime.
Në këtë godinë puna nuk është ndërprerë për asnjë moment, pasi kjo është një godinë e sigurt dhe e paraportuar për dëmtime nga tërmeti. Si e tillë, nuk klasifikohet te godinat publike që kanë nevojë për rindërtim.
Por, në shkelje të plotë të ligjit “Hajdutët e Fatkeqësive” kanë miratuar dhënien e fondeve të cilat në vend që të sigurojnë banesat për të dëmtuarit nga tërmeti, shërbejnë si një tjetër provë korrupsioni, për të mbushur “tepsinë” e pafundme të babëzisë.
Sipas vendimit që Erion Veliaj ka marrë, godina e re e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve do të ndërtohet te zona e “5 Maji”, ku janë tenderuar banesa për të pastrehët e tërmetit me vlerë 52 milion euro. Nga 12 godina që do të ndërtohen, kjo e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve do të zërë një sipërfaqe rreth 5 mijë m2 nga hapësira ku duhet të ishin ndërtuar banesa për të prekurit nga tërmeti.
Vetëm me godinën e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, e cila aktualisht është funksionale, “Hajdutët e Fatkeqësisë” do të zhvasin nga “Fondi i Rindërtimit 2.4 milion euro.
– 2.4 milion euro që mund të ndihmojnë kaq shumë qytetarë, për “Hajdutët e Fatkeqësisë” janë vetëm një aferë e pastër korruptive, e cila edhe një herë baltos qëllimet e ndyra të Rilindjes shtinjake.
– Me 2.4 milion euro mund të mëkëmbnin 2400 biznese me çekun 1000 euro, apo mbase edhe të gjitha bizneset familjare të njësive 4 dhe 8, ku shtrihet edhe zona e rindërtimit.
Por ne nuk do e lëmë me kaq, nuk do të ndalemi përpara këtyre hajnave!
Partia Demokratike do të vazhdojë të zbardhë me transparencë të plotë çdo vendim të qeverisë dhe të bashkisë së Tiranës për rindërtimin. Qytetarët meritojnë të informohen me vërtetësi për abuzimet skandaloze të pushtetit me Fondet e Rindërtimit. Shumë shpejt, perdja do të bjerë dhe “Hajdutët e Fatkeqësisë” do të përgjigjen përpara ligjit