Dalin përgjimet e reja të dosjes për blerjen e votave

Premte, 08 Janar 2021 12:36

 

Dy ditë pas zgjedhjeve vendore në Dibër, më 13 janar 2016, shefi i komisariatit në qytetin verilindor, Robert Aga, informohet se një person nga njësia administrative Kastriot ka bërë një video komprometuese dhe është nisur drejt Tiranës për ta dërguar në një televizion.

Sipas informacionit që merr Aga, kameramani amator ka udhëtuar fillimisht me furgon drejt fshatit Shupenzë të Dibrës dhe më pas ka hipur në një automjet “Benz” me persona të tjerë dhe pasi ka kaluar Qafën e Buallit, është rrugës për në Tiranë. I alarmuar, Aga lidhet me një punonjës të policisë rrugore të Matit dhe i kërkon që ta ndalojë personin në fjalë.

 

“Ka diçka, një material aty që nuk duam të na e çojë nga Tirana,” thotë Aga në një bisedë të përgjuar nga Prokuroria.

Të mbështetur në udhëzimet e shefit të komisariatit të Dibrës, punonjësit e policisë rrugore të Burrelit pozicionohen në postobllok, por nuk e gjejnë dot dibranin me videon komprometuese, pasi gabimisht ndalojnë një tjetër automjet.

Sipas verifikimeve të kryera nga Prokuroria, Aga kishte qëllim të ndalonte publikimin e një video-filmimi në emisionin investigativ “Stop” të televizionit Klan, në të cilin ekspozohen persona që ofrojnë para në këmbim të votës në afërsi të qendrës së votimit të ngritur pranë shkollës 9-vjeçare të fshatit Kllobçisht të Dibrës, gjatë zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie.

Më 18 dhjetor 2020, pas një ping-pongu të gjatë për çështje juridiksioni midis ish-Prokurorisë për Krime të Rënda, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Dibrës, dosja hetimore për krimet zgjedhore në Dibër – e njohur gjerësisht si dosja nr. 184, u dërgua për gjykim.

Në kërkesën dërguar gjykatës – një kopje e së cilës është siguruar nga BIRN, Prokuroria e Dibrës ngre akuzë ndaj Robert Agës për shpërdorim detyre. Bashkë me ish-shefin e komisariatit të Dibrës, të pandehur janë marrë edhe dy ish-administratorë të njësive vendore të Dibrës – Nuri Meda dhe Hasan Hoti dhe ish-drejtori i Drejtorisë Arsimore, Drini Gjeci, të akuzuar për blerje votash dhe shpërdorim detyre. Katër të pandehurit i kanë mohuar akuzat.

Sipas dosjes hetimore, Prokuroria ka faktuar gjithashtu akuzat edhe për 7 të dyshuar të tjerë për veprën penale ‘dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve” në zgjedhje, por çështja ndaj tyre u pushua, pasi vepra penale për të cilën ata akuzoheshin është parashkruar.

Të dhënat e siguruara në dosjen hetimore tregojnë se episodi që shfaqet në videon komprometuese të transmetuar në televizionit Klan është një nga 96 rastet e identifikuara nga prokuroria, kur të akuzuarit janë përgjuar duke ofruar para në këmbim të votave për kandidatin e Partisë Socialiste, Muharrem Rama.

Gjithashtu, në dosjen hetimore identifikohen disa raste shantazhesh dhe kërcënimesh ndaj punonjësve të administratës dhe mësuesve për të filmuar votën e tyre si dhe pasoja deri në heqje nga lista e ndihmës ekonomike për dhjetra persona që nuk kishin votuar për Muharrem Ramën.

Vjedhja e votës shkakton furtunë politike
Zgjedhjet e vitit 2016 për Bashkinë Dibër erdhën pasi kryebashkiaku i mëparshëm socialist, Shukri Xhelili e humbi postin pas një skandali seksual dhe abuzimit me detyrën. Xhelili e pati fituar Dibrën për socialistët në vitin 2015 me një rezultat të ngushtë prej disa qindra votash.

Një vit më pas, mjeku Muharrem Rama – kandidat koalicioni midis Partisë Socialiste dhe një fraksioni të PDIU-së, fitoi me mbi 4 mijë vota diferencë, ndërsa demokratët u ankuan për presione dhe blerje të votës.

Dosja 184 u bë fillimisht publike në janar 2019, falë një investigimi të BIRN dhe Zërit të Amerikës mbi përfshirjen e krimit të organizuara në vjedhjen e votave dhe kërcënimin e votuesve në zgjedhje.

Një shkurt 2019, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të parakohshme, opozita dogji mandatet në parlament dhe filloi një seri protestash të dhunshme që kulmuan me bojkotin e zgjedhjeve vendore në 30 qershor 2019.

Dosja 184 u regjistrua fillimisht pas një kallëzimi të Partisë Demokratike në Prokurorinë për Krime të Rënda.

Megjithë rëndësinë politike që mori kjo dosje hetimore, përgjatë 4 viteve dosja ndërroi disa duar prokurorësh dhe Prokuroria për Krimet e Rënda u përball me kritika publike për zvarritje hetimesh për shkak ‘të zyrtarëve të lartë të shtetit të kapur në përgjime.”

Një pjesë e këtyre përgjimeve që u publikuan në tabloidin gjerman BILD, përfshinë kryeministrin Edi Rama, deputetin e Partisë Socialiste dhe ish-ministrin e Infrastrukturës Damian Gjiknuri, ish-deputetin, tani kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu dhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Tre vite pas fillimit të hetimeve, në korrik 2019, Krimet e Rënda vendosën ta transferojnë dosjen në Dibër. BIRN mësoi se transferimi i dosjes voluminoze drejt Dibrës nuk shkoi fjollë. Prokuroria e Dibrës refuzoi fillimisht hetimin e çështjes dhe pasi shpalli konflikt kompetence, e ktheu atë pas në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Më pas, ish-Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, ndërhyri dhe vendosi që pavarësisht pretendimeve, çështja duhej të hetohej nga Prokuroria e Dibrës.

Një përpjekje e fundit e Prokurorisë së Dibrës për ta rikthyer dosjen për hetim në Tiranë si kompetencë e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK, dështoi në fillim të vitit 2020. Me refuzimin për ta marrë dosjen, SPAK pretendoi se përcaktimi i dy prokurorëve të Dibrës se bëhej fjalë për “grup të strukturuar kriminal” ishte “absolutisht i pavlefshëm” dhe se një përcaktim të tillë mund ta bënte vetëm SPAK.

Pasi SPAK refuzoi ta konsideronte ngjarjen si grup i strukturuar, dy prokurorë të Dibrës – Belina Kryemadhi (Zeneli) dhe Rifat Kojku dhanë dorëheqjen prej saj. Prokurori Urim Buci, i cili u caktua të merrte dosjen, vendosi ta dërgonte në gjykatë më shumë se 4 vjet nga fillimi i hetimeve.

‘Piratimi’ i autobusit me votues të Xhelal Mziut
Tentativa e dështuar e ish-shefit të Komisariatit të Dibrës, Robert Aga për të ndaluar makinën me video-filmimin komprometues që do të transmetohej në televizionin është vetëm një nga ndërhyrjet e paligjshme të policisë në mbështetje të Partisë Socialiste në zgjedhjet e Dibrës.

Një ditë para zgjedhjeve – më 10 janar 2016, përgjimet e Prokurorisë tregojnë se njerëzit e koalicionit të Partisë Socialiste kishin “piratuar” një autobus me votues të nisur nga rivalët e tyre demokratë.

Një personi i paidentifikuar i raporton më 10 shtator kryetarit të PS-së për Dibrën, Afrim Miklit se nga 100 persona që ishin nisur nga Tirana për llogari të Partisë Demokratike nga ish-kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, 60 ishin “bllokuar” prej tij dhe gjysmës së tyre u ishte rrëmbyer vota.

“Afër 60 vetë i kemi bllokuar, ku 30 vetë i kemi bllokuar dhe 30 i kemi marrë për ne”, thotë ai në një telefonatë të përgjuar, ndërsa kërkon para shtesë për 30 votat e tjera që mbeteshin peng.

“Problemi është se është rritur çmimi ktej pasi edhe atyre i’u kanë bërë presion,” citohet ai në kërkesën e prokurorisë për pushim të hetimeve.

Mikli sipas Prokurorisë ka kërkuar të dijë nëse personit i duhej ndihmë dhe ky i fundit i ka kërkuar ‘të paktën 3’, që sipas prokurorisë i referohet një shume parash prej 3 milionë lekë të vjetra.

Ky është vetëm një nga episodet me shuma parash në përgjime, të cilat janë dëshmi për nivelin masiv të blerjes së votës në zgjedhjet e pjesshme vendore të vitit 2016 në Dibër.

Vetëm në përgjimet e prokurorisë që përfshihen në kërkesën për gjykim ndaj 4 të pandehurve dhe kërkesën për pushim ndaj 7 të dyshuarve të tjerë, numërohen rreth 500 vota të blera – me kosto që luhatet nga 3 mijë lekë deri në 20 mijë lekë secila.

Këto përgjime – të cila janë realizuar pas kallëzimit të Partisë Demokratike, përfshijnë vetëm 2 ditë nga fushata elektorale për zgjedhjet në Dibër.

Përveç rasteve kur numri i votave të blera komunikohet në telefonatat e përgjuara, në to shpesh përmenden emra fshatrash, familjesh e fisesh pa numër votuesish – çfarë sugjeron se numri i votave të blera është shumë më i madh se 500 dhe është një fenomen i përhapur që përfshin të gjithë palët politike.

Episodi me më shumë vota të blera njëherësh është regjistruar gjatë një telefonate të përgjuar mes Korab (Ymer) Lalës – një personazh me të kaluar kontroverse dhe baba i deputetes Reme Lala dhe vëllait të tij, Fatbardh Lala.

Prokuroria thotë se gjatë bisedës, Fatbardhi e njofton Korabin se do vijnë 80 vetë nga Tirana me mikrobuza dhe se i duheshin 5 milionë lekë (të vjetra) për këto vota. Paratë duhej t’ia niste me një mik të tyrin.

Përgjimet e Prokurorisë dëshmojnë edhe për rivalitetin mes palëve politike dhe pazarin që rritej për blerjen e votave.

Në një bisedë të përgjuar në ditën e zgjedhjeve ndërmjet ish-administratorit të Njësisë Administrative Lurë, Hasan Hoti dhe një gruaje të identifikuar me emrin Muçe, kjo e fundit lë të kuptohet se 200 mijë lekë për katër votat e familjes nuk mjaftonin.

“Unë bashkë me plakun do votoj për ty, ndërsa të tjerët (djali) e nusja janë për tjetrin,” citohet gruaja në përgjim.

Hoti pretendon se ajo po i dilte nga llafi, por Muçja i qëndron kërkesës së saj, ndërsa thotë se të tjerët “vallaj kan shpërnda nga 200 mijë lekë për votë” dhe se do ia kthente paratë pas.

Biseda nuk detajohet e gjitha, por duket se palët bien në ujdi për çmimin.

“Unë i dua të deklaruara votat pra,” i thotë Hoti gruas dhe Muçja i përgjigjet “4 vota i ke prej nesh”.

Organizimi ra, rroftë organizimi
Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe më pas SPAK, rrëzuan akuzën se blerja e votës ishte bërë përmes një grupi të strukturuar kriminal. Madje pretendimet e prokurorisë së Dibrës për këtë u rrëzuan, siç thuhet në kërkesë si “një akt procedural absolutisht i pavlefshëm” nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja.

Por arsyetimi në dokumentin e pushimit të akuzave që i dërgohet gjykatës, Prokuroria e Dibrës e bën të qartë se gjithçka ishte e organizuar dhe se kishte një skemë që fillonte me drejtuesit dhe vazhdonte me sekserë, me lista, buxhete të përcaktuar dhe bilance financiare.

Nga hetimi del se Korab Lalës, prokuroria i ka caktuar rolin e drejtuesit dhe financuesit në skemën e manipulimit, edhe pse ndaj tij nuk u ngritën akuza.

“Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Korab Lala ka financuar me të holla, bashkëpunëtorët e tij, shtetasit Fatbardh Lala, Afrim Milkli, Ylli Mikli dhe Nuri Meda, të cilët më pas, në koordinim me këtë të fundit, kanë ofruar dhe shpërndarë para, personave të ndryshëm,” thuhet në kërkesën për pushimin e akuzave ndaj Lalës për shkak të parashkrimit të veprës penale.

Sipas këtij konkluzioni, Lala ishte më i rëndësishëm se kryetari i Partisë Socialiste të Dibrës në atë kohë.

“(Ai) udhëzon kryetarin e PS-së Dibër, Afrim Mikli, që të mbulojë zonën e Muhurrit, ndërsa Fatbardh Lala, (vëllai i Korabit), të mbulojë zonën e Selishtës,” thotë Prokuroria.

Hetimi i 4 vjeçar i Prokurorisë nuk është thelluar për gjetur prej nga vinin të hollat me të cilat bliheshin votat, por jep një pasqyrim të qartë të mënyrës se si ato shpërndaheshin – nga drejtuesi kryesor, tek rangu i dytë i drejtuesve lokalë dhe drejtorëve të administratës, të caktuar me përgjegjësi për të menaxhuar fushatën në njësi administrative të ndryshme dhe më tej prej tyre, tek sekserë dhe drejtues në nivel fshati apo qendre votimi.

Në përgjime del se kishte persona të ngarkuar me sigurimin e transportit të votuesve të regjistruar në Dibër, por të shpërngulur në Tiranë dhe Durrës dhe se çdo votë duhej të filmohej.

Në disa episode del se Bekim Krashi, ish-drejtor i OSHEE në Dibër, i kërkon sekserëve nën përgjegjësinë e tij numrin e saktë të votuesve që t’u dërgonte paratë.

Në bisedën me një person të paidentifikuar, Krashi këmbëngul të dijë sa ishte numri i votuesve të sigurt që ai kishte. “Mos më thuash mo nesër… .10-të a i ke të sigurt?”, pyet ai.

Më vonë, Krashi bën llogaritë për koston totale të votave të blera.

“Nga 30, 300…”, (duke nënkuptuar 10 vota nga 30 mijë lekë, baraz 300 mijë lekë),” thuhet në kërkesën për pushim të çështjes nga Prokuroria.

I njëjti person kërkon raportim të saktë edhe nga një tjetër sekser i identifikuar si Saliu. Ky i fundit nuk dukej fort i qartë dhe Krashi i revoltuar kërkon numra fiks.

“Ua kam bo listat 100 herë. Duhet me mi dhënë krejt listat tamam,” shprehet Krashi në përgjim.

Prokuroria e Dibrës arsyeton se listat duheshin për të bërë pagesat e votave të blera.

Përgjimet e Krashit tregojnë se palët po funksiononin me buxhete të përcaktuara qartë. Në një përgjim tjetër në ditën e zgjedhjeve, Krashit i shpëton në bisedë e sipër se kishte buxhet të ndarë për zona të caktuara.

“Nuk e di, se atje e kam shfrytëzu në maksimum. Maksimumin e limitit që kom pas për atë zonë, se kam edhe zona tjera,” i thotë ai një personi që identifikohet si Urim dhe që i kërkon para shtesë për dy vota.

Nga përgjimet del gjithashtu se organizatorët kishin vendosur që asgjë nuk duhej t’i lihej rastësisë. Ish-drejtuesi i atëhershëm i OSHEE-së Dibër i thotë njërit prej vartësve të tij në skemën e blerjes së votave se duhej t’i kishte dhënë paratë një familjeje, të cilës vartësi pretendon se ia kishte marrë votën për shkak të miqësisë. Krashi insiston se po e gënjenin dhe se duhej të kthehej të paguante.

Dekonspirimi i hetimeve
Pas mesnatës së të dielës së 11 janarit 2016, kur kutitë e votimit ishin hapur, entuziazmi i triumfuesve është i dukshëm.

Në një bisedë të Robert Agës me Bekim Krashin, ky i fundit tregon se pritshmëritë ishin tejkaluar.

“Ça keni bo, ça keni bo mo se e keni myt fare?!”, i thotë Krashi ish-shefit të Komisariatit.

Përgjimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda vazhduan edhe pas zgjedhjeve, por hetimet shumë shpejt u dekonspiruan dhe të dyshuarit morën vesh se ishin në përgjim nga Prokuroria.

Në 14 shtator, Korab Lala në një bisedë me të vëllanë i bën me dije në telefon se ishin në përgjim. Po atë ditë, përmes bashkëshortes ai i çon porosi Fatbardhit që të djegë një bllok me disa shënime.

Në përpjekje për ta qetësuar se në bllok nuk kishte asgjë, Fatbardhi i thotë që “kishte vetëm emrat dhe votat dhe nuk kishte shënime”.

Pak më vonë, ai merr një telefonatë jo aq të këndshme nga i vëllai, i zemëruar se ai ka përmendur fjalën vota në bisedë.

“Po mirë mo, kaq derra jeni…, unë them shënimet, ti thu prapë i kam kshu i kam ashtu…,” thotë Korab Lala në bisedë, ndërsa ripërsërit kërkesën se ato duheshin djegur. Porosi të ngjashme u jepen edhe bashkëpunëtorëve të tjerë në proces.

Paralelisht për hetimet janë njoftuar edhe anëtarë të tjerë të grupit. Në një bisedë në 16 shtator me Arben Keshin – i cili më vonë do të emërohej shef komisariati në Bulqizë, Afrim Mikli i thotë se i kishin çuar mesazh “shko me pushime”.

Mikli u largua disa ditë më vonë në Maqedoninë e Veriut dhe ngjashëm bënë edhe personazhe të tjerë. Po mërgimi i tyre nuk qe i gjatë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ndërmorri asnjë veprim për të ndaluar shkatërrimin e provave apo personat e përfshirë, dhe ndërsa zhurma rreth zgjedhjeve në Dibër u fashit, të dyshuarit u kthyen në Dibër në kërkim të shpërblimeve.

Në një bisedë më 23 shtator 2016 mes Afrim Miklit dhe Arben Keshit – të cilët po përdornin numra të personave të njohur, Keshi i thotë Miklit se kishte folur me ata dhe se u kishin thënë të ktheheshin.

“Parmbrëmë fola me to unë dhe më tha nëse jeni qetësuar hajdeni, s’ka problem…”, citohet përgjimi.

Torta e pushtetit fut në sherr aleatët
Të qetësuar se nuk po përndiqeshin, grupi i akuzuar se udhëhoqi blerjen e zgjedhjeve u kthye Dibër. Një sërë përgjimesh tregojnë fillimin e diskutimeve për ndarjen e vendeve të punës, për ata që duheshin shpërblyer dhe goditjen e atyre që nuk u ishin bindur.

Në të njëjtën ditë që ishte kthyer nga Maqedonia e Veriut më 23 shtator 2016, Afrim Mikli i kërkon Drini Gjecit – ish-drejtor i Drejtorisë Arsimore, që të shkarkojë nga puna drejtorin e shkollës së Zall- Reçit, Reshat Elezaj.

Emri i Elezajt u bë i njohur në një nga përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane BILD. Në përgjim, Pjerin Ndreu, atëherë deputet i PS-së dhe tani kryebashkiak në Lezhë, i kërkonte Gjecit që Elezaj të votonte haptazi ose “ditën e hënë tregoja ku fluturon”.

Elezaj në përgjime del se është bindur, por kjo nuk duket se ka mjaftuar dhe në 10 tetor u shkarkua nga puna me motivin “ka vend për përmirësimin e punës”.

Në të vërtetë, siç i thotë Mikli drejtorit të Arsimit, Gjeci, Elezaj duhej të “qërohej direkt” sepse edhe një vëlla i tij, anëtar asambleje në PS, nuk kishte punuar fare në zgjedhje.

Shkarkimi i Elezit si dhe kërcënimet ndaj mësuesve për të dalë në mitingjet e PS-së, kërcënimet ndaj drejtuesve të shkollave që të deklaronin votën dhe pazaret për punësime, e kanë shtyrë prokurorinë të ngrejë akuzë ndaj Drini Gjecit “për shpërdorim detyre” dhe “shantazh ndaj zgjedhësve”.

Por përgjimet e prokurorisë lënë të kuptohet se Gjeci nuk ka vepruar me mendjen e tij. Prokuroria thotë se Gjeci vepronte mbi udhëzimet e Afrim Miklit për të kërcënuar mësuesit për të marrë pjesë në mitingje.

Qartazi në përgjime del se Gjeci nuk merrte vetë as vendime emërimi dhe as vendime shkarkimi. Në një bisedë me shtetasin Spartak Koltraka- gjithashtu i hetuar në këtë dosje, Gjeci i thotë atij se nuk mund të emërojë një mësuese, pasi vendimet do merreshin nga Tirana.

“Pa ardhur njëherë me u ul këtu ato të Tiranës nuk bëj asnjë lëvizje, kshu që mos u hap shumë or Spartak se m’i kanë blloku,” i thotë ai në një bisedë telefonike të 20 shtatorit 2016. Disa herë, Gjeci i thotë Afrim Miklit se do priste atë për të bërë lëvizjet.

Përgjimet e Gjecit po ashtu tregojnë fillimin e konflikteve për vende pune mes grupit që përfaqësonte PDIU-në dhe njerëzve të Partisë Socialiste. Këto konflikte përfunduan në një rrahje masive në zyrat e bashkisë Dibër në janar 2018.

Në një prej përgjimeve, Korab Lala i kërkon llogari Gjecit për punësimin e një mësueseje, që sipas tij ishte bashkëshortja e një personi që bashkë me të birin, u kishin nxjerrë armët njerëzve të tij në fushatë. Në një bisedë të ngjashme, Gjeci i thotë Afrim Miklit se një lëvizje e kërkuar prej tij nuk mund të bëhej, pasi një përfaqësues i PDIU-së kishte kundërshtuar shkarkimin e një mësueseje se ishte ‘njeriu i tij’.

Besnikëri ndaj partisë
Përgjimet tregojnë se drejtori i Drejtorisë Arsimore, Drini Gjeci i mbikëqyrte mësuesit shumë afër përsa i përket bindjeve politike.

Në një bisedë me një drejtoreshë shkolle ai kërkon të dijë për një mësuese nga një familje e djathtë. Drejtoresha, në një prej akteve të vetmuara fisnike në 85 faqet e dosjes hetimore, mbron mësuesen duke thënë se ishte “më e mira në Dibër”. Por Gjeci megjithatë këmbëngul në largimin e saj.

“Aman si ju rrejnë, i shoqi sot krah për krah me Lul Bashën në takim,” i thotë ai.

Në krahun tjetër, Nuri Meda, ish-administrator i njësisë Administrative Tomin merr udhëzime nga Ylli Mikli, një tjetër person i hetuar në dosje, që të fshijë nga lista e ndihmës ekonomike familjet në nevojë që nuk kishin mbështetur fushatën.

“Shkriji fare, mprefe atë lapsin e kuq dhe bjeru kokës…,” i thotë Mikli dhe Nuriu premton se do i heqë.

Sipas prokurorisë, pak ditë më vonë, Meda urdhëron vartësen e tij që të përjashtojë 38 familje në nevojë nga skema e ndihmës ekonomike.

Një prej personave të hequr nga lista i tha BIRN se në atë kohë, pagesa nga njësia administrative kishte qenë e vetmja e ardhur për familjen e tij. Një person i dytë reagoi i frikësuar, por pranoi se nuk kishte marrë ndihmë për tre muaj, por më vonë e kishin kthyer në skemë.

Kërcënimet nuk preknin vetëm personat në nevojë, por edhe bizneset. Prokuroria thotë se një prej të dyshuarve kishte kërcënuar se do i “mbyllte centralin” një biznesmen të zonës – me gjasë pronar i një HEC-i të vogël, nëse nuk votonin hapur.

Policia përfshihet në zgjedhje
Hetimet e prokurorisë zbulojnë se ish-shefi i Komisariatit Dibër, Robert Aga e vuri të gjithë policinë e zonës në shërbim të fushatës dhe cënoi depolitizimin e forcave të rendit. Në një prej bisedave me Arben Keshin, ai e njofton atë që të porosisë njerëzit që kishte në terren se po dërgonte Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë që të bënin patrullim.

“Porositi që janë në ndihmë të tyre,” i thotë ai, ndërsa shton se policia do të qëndronte aty edhe natën që “njerëzit tanë të ndjehen të sigurt të shkojnë të votojnë”.

Një bisedë e Keshit me një person të paidentifikuar e njofton atë për praninë e policisë dhe se duhej t’i fshinin armët në prani të policisë që ishte me ta.

“Mirë, po a t’i heqin ato do druna, do gjëja… ç’farë kanë…” pyet personi i paidentifikuar, duke aluduar për armë dhe Keshi e garanton se punën e tyre do e bënte policia.

“Po, po, t’i heqin, nuk do jetë e nevojshme se do patrullojnë ato,” thotë Keshi.

Për këtë shërbim për Partinë Socialiste në zgjedhje, Aga mori përgëzime “për angazhimin” dhe premtime për t’u shpërblyer- me një telefon që kaloi dorë më dorë, nga deputeti Xhemal Qefalia, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe deputeti i Dibrës, Ulsi Maja.

Manja madje i premtoi Agës se kërkesa e tij për t’u transferuar në Bulqizë ishte pak dhe se ai meritonte më lart. Qefalia thotë se në tavolinën nga ku bëhej biseda telefonike ishin të pranishëm edhe kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Qefalia madje i premton Agës se ishte angazhuar të ishte “ushtar i bindur i PS” dhe se do të ndërhynte te ish-deputeti demokrat Flamur Noka, që ky të mos ia përmendë më emrin.

“Çe vret trunin mo burrë, të plasi b*tha,” thotë Qefalia. “Flamuri është i detyruar të bëjë politikë, po do i themi ne nesër, s’ke pse e përmend më atë,” përfundon ai./ BIRN

Login to post comments