Intervista / Ish-kryetari i PS Fier, bashkuar së fundmi në LSI
Arjon Muça: Lëvizja Socialiste për Integrim bën më shumë për socialistët sesa Rilindja!
Ish-kryetari dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste të Fierit, bashkuar vetëm një javë më parë me radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet e 25 prillit e në vijim, Arjon Muça, ka folur në një intervistë për TV.... në lidhje me vendimin e tij për t’u aderuar në këtë forcë politike.
Sipas Muçës, vendimi i tij lidhet me faktin e pakundërshtueshëm se Lëvizja Socialiste për Integrim është ajo forcë politike, e cila bën më shumë për socialistët sesa Rilindja, që sipas Muçës tashmë nuk ekziston më, qoftë në simbolikë e në gjithçka tjetër që ajo përfaqëson, pasi sot kemi Rilindje, që është thjesht dhe vetëm një grup kriminal, një sekt që përdori emrin e Partisë Socialiste për të ardhur në pushtet.
Pjesë nga intervista e Arjon Muçës:
“Është e vërtetë që unë i jam bashkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet e 25 prillit e në vijim. LSI është një forcë politike, e cila bën më shumë për socialistët sesa vetë Partia Socialiste, e cila duhet thënë se sot nuk ekziston më, qoftë në simbolikë, në gjithçka çfarë ajo ka përfaqësuar. Sot nuk kemi më Parti Socialiste në kuptimin e demokracisë, të përfaqësimit intelektual, profesional apo edhe qytetar. Sot kemi Rilindje, sikurse e përdorin vetë ata, të cilët përdorën besimin e Partisë Socialiste për të ardhur në pushtet. Për mua është një sekt kriminal, i cili përdori subjektin politik Parti Socialiste për të marrë pushtetin për interesa personale në dëm të interesave të qytetarëve shqiptarë dhe pasojat e keqqeverisjes së tyre do të ndihen për një kohë shumë të gjatë. Rilindja ka tradhtuar jo vetëm socialistët, por të gjithë qytetarët shqiptarë.
Ku ndryshon PS që ju drejtonit, nga PS e sotme, sikurse e quani ju Rilindja?
Kjo që po ndodh sot është vetëm propagandë. Qytetarët e dinë shumë mirë që Partia Socialiste ka qenë një parti intelektuale, ka qenë vlera më e madhe në spektrin politik shqiptar. Sot në Partinë Socialiste nuk ka zgjedhje, ka vetëm emërime, duke filluar nga kryetari e deri më poshtë. Nëse shikoni sot qeverinë, është e vështirë që të gjeni një emër që të ketë kontribute dhe vlera të shtuara në shoqëri. Të gjithë janë kukulla në shërbim të këtij sekti që është Rilindja, pas të cilëve janë bandat kriminale dhe oligarkët, që qeverisin realisht për interesat e tyre personale. Pjesa tjetër është propagandë. Por propaganda e ka afatin të shkurtër. U bënë tashmë më shumë se 7 vjet që qeveris Rilindja dhe rezultatet janë tmerrësisht negative dhe të prekshme për qytetarët. Ne jemi kthyer 30 vjet mbrapa, ndërsa janë shtuar kushtet për pranimin dhe aderimin e vendit tonë në organizatat ndërkombëtare. Nuk ka ndodhur kurrë më parë që në Parlamentin shqiptar të kemi kaq shumë deputetë, 18-20 deputetë me të kaluar kriminale, të dënuar jashtë vendit me vendime gjykate për vrasje, për prostitucion, për drogë e për aktivitete të ndryshme kriminale. Dhe kjo ka zbritur në të gjitha nivelet e administratës. Nuk ka ndodhur kurrë që ne të kemi pasur përfaqësues në zgjedhje për pushtetin vendor me të kaluar kriminale, për të cilët edhe vetë ambasadorët dhe përfaqësuesit e huaj politikë në vendin tonë kanë bërë deklarime të forta dhe të prera për të kaluarën e tyre, ndërkohë që Rilindja ka këmbëngulur në këto qëndrime. Po të shikoni e gjithë kjo qeverisje është e fokusuar në interesat e disa individëve të caktuar, të cilëve nuk u interesojnë institucionet e forta, përkundrazi u interesojnë institucionet e dobëta dhe prandaj Partia Socialiste nuk ekziston më, sepse një Parti Socialiste si ajo e vërteta, ishte një institucion i fortë që nuk të lejonte të devijoje nga programi dhe nuk lejonte problematika të tilla kaq të rënda. Është shkatërruar edhe pushteti vendor, që ju e keni të qartë që është një-partiak. Këshillat vendorë janë të gjitha një-partiakë, Prokuroria, Policia të gjitha janë në funksion të një individi, i cili është në shërbim të grupeve të ndryshme kriminale dhe të një grupi oligarkësh. Nuk ka ndodhur kurrë që Parlamenti të prodhojë ligje specifike për punë publike me vlera qindra milionë euro, siç është rasti i Teatrit apo prokurimeve të tjera, ku prodhohen ose miratohen ligje specifike për të bërë punë publike me vlerën që e propozon vetë ai që ndërton, që janë vlera 10-fish më të larta. Autostrada Fier – Lushnje është 38 kilometra dhe është bërë për 40 milionë euro. 40 milion euro këta bëjnë 2 kilometër rrugë, bazamenti i të cilës është i qartë. Pra, çmime 10-fish më të larta se standardet më të mira evropiane. Kjo është një vjedhje e hapur. A mund të më thoni ju që një kompani off-shore ose një institucion financiar që nuk i njihet pronari të mund ti jepen vlera ekonomike kaq të larta për 10 apo 20 vjet. Ka kryeministër në botë që mund ta bëjë këtë gjë? Ka vetëm një, është Kryeministri shqiptar dhe ky e bën vetëm për dy arsye, ose sepse ajo është e vetja e fshehur, ose sepse korrupsioni është i lartë. Prapa saj fshihen njerëz apo organizata kriminale që merren me pastrim parash. Kjo është e dukshme!”, shprehet ndër të tjera në këtë intervistë, Arjon Muça.