Darka e ministrave në një nga restorantet më të shtrenjtë në Dubai. Shqiptarët shpërthejnë në revoltë në rrjetet sociale
Nga Kim Mehmeti-
Mediat raportojnë për ahengun e qeveritarëve të ‘Rilindjes’ të shtruar në Dubai.
Çfarë paturpësie dhe pandjeshmërie e pushtetarëve të cilët posa e ndiejnë erën e mishit të pjekur, e harrojnë popullin që i ushqen, popullin që sot ‘mbytet’ nga rreshjet dhe dridhet nga i ftohti.
E në ndërkohë thonë se drekën ua paska paguar ndonjë princ arab?!
Me çka tregojnë sa nuk e kanë kuptuar se edhe si mysafir të cilitdo mbreti, darkat e drekat u shtrohen për nderë të popullit e shtetit që përfaqësojnë, andaj nuk u ka hije të sillen si njerëz perverzë të cilëve nuk ua kontrollon truri barkun, por stomaku trurin.
Po pra, sido që ta marrësh darka e pushtetarëve shqiptarë në Dubai shpalos dukjen e burrështetasve që nuk e kanë të zbrazur barkun, po trurin, gjë që i bënë të mos kenë turp e të jenë të pandjeshëm ndaj popullit që ua mundëson gjitha ato privilegje.