Vaksina e propagandës

Tuesday, 12 Janar 2021 14:51


Lajmi kryesor i këtyre ditëve ishte dreka në Dubai e ministrave dhe pushtetarëve shqiptarë. Hanin që, aman, falë i kjoshim Zotit! Si dreqër mbllaçiteshin të uruarit, me tamah e pa dembeli, me dhëmbët e mprehtë. Aromat mikluese duket i ftonin në përtypje të ëmbël e në heshtje admiruese. Restoranti i Nusretit ka zë e nam në të gjithë botën si njëri nga më të shtrenjtët në faqe të dheut.

Aty priten me erz e qeram yndyra e pasanikëve të botës. Shqipëria e bërë qyqe nga përmbytjet zhytej e mbytej në ujë, por ata kishin oreks të mirë, ishin fytyrëqeshur, hareja u spostohej sa në një cep te një tjetër, mideja dukej po kaq tretëse. Bifteku otoman bëhej shkrumb e hi sa hap e mbyll sytë nga djemtë e Skënderbeut. Ata ndiheshin aq patriotë aq sa kocka e bërxollës u dukej si kafkë jeniçerësh. Në rrjetet sociale u bë nami. Si rrëke shpërtheu kudo zemërimi.

Meme, tallje, hoka, përbuzje, skuqën botën virtuale me indinjatë. Një historian i qytetërimeve na thotë se perandoritë e mëdha i shkatërroi stomaku, vetë Romën antike. Aty filloi dekadenca në mënyrë metaforike. Plënci i tyre i madh me zor i ngjitej kalit teksa barbarët që vinin nga veriu ishin gjeth të lehtë. Stomaku po përpin edhe qeverinë e Ramës, por duket gropë e madhe që nuk mbushet, sado që hedhin në të pafund.

Nusreti kushedi sa është gëzuar! Zonjat lozonjare të lokalit shpërndanin puthje nga ndezullia e gazmendit. Sheikët e Rilindjes rrinin me dinjitet mes të barabartëve! E kanë hak pushimin dhe darovitjen! Kjo virane Shqipëri po i lodh, po i plak, po i bën verem ndaj te Nusreti bënë konak. Eh, sa zemërgurë janë qytetarët e këtij vendi, që s’e kuptojnë fare se një biftek apo shishe verë sa një palë pushime të mira duhet për t’i qetuar, rehatuar, gëzuar ata që për ne bëhen copash.

Si zift binin mbi ta shkulme zemërimi! Kryeministri i sapokthyer nga udhëtimi pajtues mes Erdoganit e Mitsotakisit, fitimtar aty ku Merkel, Makron e Mike Pence kishin dalë humbës, pa t’i rrëshqasë dheu nën këmbë. Thonë që do ftohet të pajtojë edhe Biden me Trump që ky i fundit të marrë pjesë në ceremoni më 20 janar kur të kurorëzohet Presidenti i ri amerikan. Nuk e lanë të gëzohej. Ia prishën shendin dhe avenirin në akçihanen të larë me ar të Nusretit çapajevat e tij! U rrek të përgënjeshtronte! Luajti me fjalët sa diti e mundi, po kurrgjëhiç rezultati, rrjeti ziente si koshere bletësh të azdisura!

Qeveria deklaroi se shpenzimet i ka pala pritëse. Po cila është pala pritëse? Deklaruan se janë atje për portin e jahteve dhe pasqyrën ujore në Durrës, po kush e ndërton? Cili tender është bërë? Në vendet normale nuk shkon kurrë ministri për negociata te kompani të huaja private, por vjen ajo te ministri. Konflikti i interesit? Me çfarë mjeti udhëtuan 18 vetë në Dubai etj., etj. Një futbollist i Bajernit ka postuar në “Fb” drekë te Nusreti dhe klubi e pezulloi për pak kohë e i vuri dhe gjobë. Ja që shqiptarët bënin edhe këso pyetjesh, që Edi Rama nuk u gjente derman!

I duhej një lajm, një spektakël, një show, diçka që tërhiqte vëmendjen! Ndonëse na e kishte premtuar javën e tretë të janarit, pardje lajmëroi që seften do ta bënte dje. Ai thirri në skenë vaksinën 975 copa, që bëjnë për gati 485 veta. Nuk na tha ku e gjeti në mënyrë që të merremi me këtë pyetje dhe jo me menynë e Nusretit dhe bëmat e tjera të atij banketi. U vaksinua vetë dhe mirë bëri! U vaksinuan ca mjekë dhe mirë bënë se e meritojnë më shumë se kushdo!

Kështu kemi një batalion me imunitet! Frigoriferin se ku mbahen nuk na e dëftoi, por tha që nesër do shfaqet vetë ai para tij. Për të tjerat si e qysh kur mbërrijnë, një Zot e di! Me ketë ritëm do duhen nja dy vite të rrumbullakëta me i dalë në krye pandemisë. Edhe për këto zero informacion, a thua se jemi në një kamp përqendrimi! Po nejse, e kishte të madh hallin Kryeministri, shumë të madh i duhej spostimi i vëmendjes, zhurma që shkakton propaganda.

Ajo e mallkuar festën në pëqi të Nusretit, investigimi i “Birn” për portin e Durrësit, për ligjin që miratoi në dhjetor për t’ua dhënë arabëve e vunë përballë revoltës paqësore po tejet të rrezikshme të “Facebook”-ut. Sapo shoi revoltën urbane të të rinjve nga vrasja e të riut Klodian Rasha, që ndezi Policia e tij, tani i duhet të merret me revoltën që shkaktoi oreksi i ministrave kur vendi përmbytej. Ai gjeti vaksinën, por harron që shkenca jo e jo, po as rilindja e tij nuk ka gjetur vaksinë kundër gënjeshtrave, megjithëse e provon çdo ditë./panorama

Login to post comments