Nga Kastriot Islami-
Gjithcka më poshtë është vetëm një copëz e së vertetës, se si i shohin mediat greke sjelljet Rama-Erdogan, me objektiv themelor realizimin e interesave të tyre për cështjen e detit. Për ta bërë më të qartë të gjithë panoramën do të duhej edhe një këndvështrim i mediave turke për sjelljet e Ramës ndaj Greqisë. Bëhet fjalë për një artikull të datës 8 janar 2021, të publikuar në median greke: Greek City Times (https://greekcitytimes.com/2021/01/08/ramas-visit-to-ankara/) ku merret në “analizë” “miqësia” e Ramës me Erdogan dhe vizita e tij e fundit në Ankara. Ja disa nga vlerësimet:
1. “…Rama është aleat i ngushtë i Erdoganit dhe këtë po e përdor për tu vëndosur mes Perëndimit dhe Turqisë…?!” Shumica e publikut shqiptar e beson këtë përfundim, ndonëse e vërteta është ndryshe: Rama më afër Athinës se Ankarasë, po përpiqet të luajë mes Ankarasë e Athinës për pushtetin e tij personal…
2. “…Marrëveshja midis Greqisë dhe Shqipërisë për çështjen e kufirit të tyre detar që do të gjykohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, e miratuar nga Rama, ka alarmuar Erdoganin i cili pritet të bëjë presion ndaj tij për ta anuluar atë…”. Shumë analistë mendojnë se në Ankara e njohin shumë mirë lojën tinzare të Ramës dhe reagimet e Erdoganit janë mesazhe të qarta për Ramën…
3. “…Rama kërkon të mbajë marrëdhënie të ngushta me Turqinë, por edhe të mos distancohet nga Perëndimi, në mënyrë që të mos e akuzojnë si “peng” i Erdoganit në Ballkan…” Kjo duket një “tezë” me shumë shanse për të qënë e saktë, por zorr se në perëndim të mos e cilësojnë lojë të Ramës për pushtetin e tij personal…
4. “…Turqia i ka dhënë ryshfete anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për të anuluar marrëveshjen e detit të arritur në vitin 2009… “ Ky duket një pohim shumë i “fortë” që shumë analistë shqiptarë e konsiderojnë të besueshëm, disa prejt tyre edhe e kanë artikuluar por ende nuk kanë mundur ta provojnë, sepse shteti ligjor në Shqipëri është shumë i dobët apo sepse drejtësia eshtë ende e varur politikisht e personalisht nga Rama, madje mendohet edhe më shumë pas reformës në drejtësi…Koha do ta provojë këtë pohim…
5. “…Erdogan mund të përfitojë nga reagimet e brendshme të Ramës ndaj marrëveshjes me Greqinë…”, pra Rama për shkak të reagimeve të Erdogan edhe mund ta anulojë marrëveshjen, por kjo pak gjasa të ndodhë se Rama është më afër Athinës sesa Ankarasë… Edhe ky është një pohim tjetër shumë i “fortë”, që shumë qytetarë besojnë… Ndërsa disa analistë mendojnë se Rama nën presionin e Erdoganit po luan me palën greke duke i thënë se pengesa për marrëveshjen e detit me Greqinë është Presidenti i Republikës, gjë të cilën e ka artikuluar tashmë edhe në median vëndase, në funksion të goditjes së Metës me synim zgjedhjet e 25 prillit 2021…
6. “…Rama është kritikuar nga vëndet anëtare të BE sepse nuk ka bërë progres në kryerjen e reformave të BE…”. Ky është një pohim që shumica e shqiptarëve fatkeqësisht nuk kanë asnjë dyshim, por edhe një opinion në shumicën e kancelarive të vëndeve të BE
7. “..Pas tentativave të dështuara në Turqi në korrik 2016, Rama ishte një nga drejtuesit e huaj që ka shprehur mbështetjen e tij për Erdogan..Marrëdhëniet e ngushta mes Ramës e Erdogan janë konfrmuar me pjesërmarrjen e Ramës në ceremoninë e martesës së vajzës së Erdogan… .”. Kjo është pamja e jashtme apo naive e një marrëdhënie më komplekse mes Ramës e Erdogan…
8. “…Penetrimi i Turqisë në shoqërinë shqiptare është impresiv…Erdogani ka shfrytëzuar fenë islame për avancuar planet e tij strategjike…Ndërtimi i xhamisë së Tiranës konsiderohet nga pikëpamje kulturore dhe fetare si një ushtrim i diplomacisë turke…Kjo është xhamia më e madhe në Ballkan me kapacitet prej 10 mijë individësh dhe që ka kushtuar 30 milion euro…”. Ky duket një pohim shumë i “fortë” që zbulon interesat e vërteta turke…
9. “..Rama ka pranuar marrëdhëniet e ngushta me Erdogan…dhe njëkohësisht ai është i ndërgjegjshëm që arritja e marrëveshjes së detit më Greqinë do të provokonte reagimin e Turqisë…”… Kjo duket një lojë tinzare e Ramës me Ankaranë duke u përpjekur ndërkohë të hiqet i sinqertë me të dy palët… por që nuk arrin ti shpëtojë as “dashurisë” së njërës palë dhe as mosbesimit të palës tjetër…
Duke pasur parasysh se opinionet e medias greke, për cështje kombëtare pikante sic mendohet të jetë edhe ajo e marrëveshjes së detit me Shqipërinë, janë në rezonancë me opinionin e qarqeve të larta greke…Vendosja e kësaj “fotografie” nga media greke në sfondin e marrëdhënieve Rama-Erdogan, nga njëra anë e zbulon më të qartë sjelljet e Ramës për publikun në Greqi, por edhe në Shqipëri, e ndoshta deri në Europë, dhe nga ana tjetër përpiqet ta nxisë Ramën drejt arritjes së synimeve greke… Rama duket se po luan për interesat e tij personale, një lojë tinzare me “dy porta”, “dashurie” me Athinën dhe “provokuese” ndaj Erdogan, qartas në kurriz të interesave kombëtare, por pa mundur tja hedhë askujt, as në Tiranë, as në Athinë dhe as në Ankara