Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama pas deklaratave që bëri ky i fundit gjatë një konference për mediat në lidhje me situatën e shkaktuar nga përmbytjet.
Basha theksoi se Rama për 2 orë bëri propagandë dhe mashtroi, ndërsa nuk merr përgjegjësinë për këtë situatë. Mes të tjerash lideri demokrat ka akuzuar Ramën se nuk po iu ofron ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet, që janë mes ujit dhe pa ushqim.
“Gjatë ditëve të kaluara kam qenë bashkë me bashkëpunëtorët e mi me disa prej jush në disa prej zonave të përmbytura, e kemi parë me sytë tanë dëmet e mëdha që janë shkaktuar, vështirësitë e mëdha që po kalojnë njerëzit. Edhe sot që flasim qindra, mijëra banorë, mijëra familje janë nën ujë. Shtëpitë e tyre janë në prani të ujit, janë të rrethuara nga uji, janë me mungesa të mëdha të ujit të pijshëm, të ushqimeve, medikamenteve. Vuajnë për aksesin për të dalë nga shtëpitë apo të çuar të sëmurët në spital. Janë pa medikamente dhe nuk po flas vetëm për zonën e Shkodrës por po flas edhe për zonat rreth e qark Tiranës, Durrësit dhe të gjithë ultësirën Perëndimore. Jemi përpjekur të bëjmë gjithçka. Kryetarja e bashkisë se Shkodrës ndonëse në rrethim politik po përpiqet të bëjë gjithçka bashkë me punonjësit e saj. Ne jemi përpjekur me rrethin tonë të vullnetarëve të bëjmë gjithçka dhe do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka për t’ju qëndruar pranë këtyre njerëzve. Ndërkohë kjo është e vetmja qeveri në botë që fatkeqësinë e shikon si mundësi për propagandë. Ulen dy orë dhe njeriu që ka 8 vjet kryeministër, 8 vjet përgjegjës për këtë vend, na tregon historikun e rrethjeve në 20 vitet e fundit. Ne fakt gënjen se e di e gjithë Shkodra që ka ditë që nuk bie shi dhe përmbytja ka ardhur nga kaskada. Njerëzit janë nën ujë dhe ky u thotë nuk shihni investimet që kam bërë unë. Njerëzit janë përmbytur dhe ky vazhdon t’ju vejë fajin të tjerëve. 8 vite propagandë dhe asnjë punë për të zgjidhur hallin e njerëzve.
Kush ka qenë 8 vite kryeministër? Kush i ka pasur të gjitha pushtetet këto 8 vite? Kush ka pasur miliarda euro në duar për të zgjidhur këto probleme në 8 vite? Dhe tani në këtë moment në vend që të mendojë për hallin e këtyre njerëzve që sot, përmbytjes, pandemisë, krizës ekonomike i është shtuar edhe një ditë e acartë edhe paralajmërohet edhe nesër një ditë tjetër e acartë prapë del pa pikë turpi dhe flet sikur ka ardhur dje në qeveri. Ka 8 vjet kryeministër. Kujt t’i kërkojnë llogari njerëzit? Kush e ka përgjegjësinë për këtë situatë dhe çfarë po bën për t’ju ardhur në ndihmë? Çfarë po bën për t’iu ardhur në ndihmë? Të gjithë janë ngritur në këmbë. Kushdo po mundohet të bëjë aq sa mundet, ky që e ka përgjegjësinë me ligj, ulet atje 2 orë bën propagandë me fatkeqësinë. Boll më! 8 vite dështim. 8 vite vetëm propagandë.”, tha Basha.