Shembja e rrugës në Borsh, Rama mbron Salillarin: S’mund ta fajësoni pa një hetim

Premte, 15 Janar 2021 17:53

 

Kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje kompanisë “Salillari” shpk, e angazhuar për mirëmbajtjen e rrugës së Borshit, që u ça së fundmi.

Rreshjet e fundit të denduara të shiut sollën çarjen e rrugës në Borsh, që mirëmbahej nga “Salillari” shpk, në bazë të një kontrate mes kompanisë dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Në verën e vitit 2020, ky aks rrugor i ishte nënshtruar procesit të mirëmbajtjes nga kompania “Salillari”, e cila ka nënshkruar një kontratë mbi 13 milionë euro me Autoritetin Rrugor Shqiptar, për periudhën 2017-2022.

Pas shembjes së rrugës, mediat zbuluan se ishte kompania “Salillari”, ajo që kishte një kontratë për mirëmbajtjen e aksit me ARRSH, ndërsa opozita hodhi akuza për një çështje korruptive. “Rruga e çarë në dysh nuk është pasojë e ndonjë tërmeti, por e korrupsionit të kësaj qeverie. Janë rreth 14 milionë euro që Edi Rama i jep kompanisë Salillari për të mirëmbajtur aksin e Jugut, por në vendngjarje është vetëm 1 punëtor dhe asnjë përpjekje për rregullim”, deklaroi ish-deputetja e PD, Nada Meçorapaj.

Lidhur me çështjen, u pyet këtë të Premte kryeministri Edi Rama, gjatë një konference me lajtmotiv përmbytjet e fundit.

Rama, në përgjigjen e tij, u orvat të mbronte kompaninë në fjalë. Ai tha se nuk mund të hidhen akuza pa një hetim të plotë, por nga ana tjetër, nuk inkurajoi nisjen e një hetimi nga prokuroria për të zbuluar shkaqet e çarjes së rrugës.

LEXO EDHE Basha paralajmëron Doshin dhe Dakon: Mos guxoni të prekni votën në zgjedhje, sepse në 26 prill ju pret ...
“Nuk mund të thuash që është kompania shkaktare. Ka punë që janë bërë dhe sot për në kushtet gjeologjike mund të ketë çarje, ashtu si dhe mund të jetë kompania shkaktare, por kjo kërkon analizë. Të çosh kameran në një rrugë të çarë dhe t’ja kërcasësh kompanisë, mban më shumë era gjobë sesa gazetari. Sugjerimi im është mos bëni gjueti shtrigash me kompanitë. Mos bëni gjueti shtrigash me njerëzit që punësojnë mijëra njerëz, me njerëz që kontribuojnë. Askush s’është engjëll dhe askish s’është i përjashtuar nga e drejta për të vlerësuar deri në fund veprimtarinë kur ka një problem. Por është fatkeqëi e madhe që këtu suksesi kthehet në mallkim dhe suksesi i këtyre njerëzve që kanë ngritur kompani dhe u japin punë dhjetra mijëra-familjeve, është bërë mallkimi i tyre. Goditen nga mëngjesi në darkë siç goditeshin kulakët pas çlirimit. Mund të jetë përgjegjësi e kompanisë, por mund të mos jetë. Por duhet hetuar për të zbuluar shkaqet. Është një hetim që në dijeninë time po bëhet nga KLSH”, tha Rama

Login to post comments