Presidenca ka reaguar pas deklaratave dhe akuzave të kryeministrit Edi Rama se Ilir Meta dhe Sali Berisha duan të zhbëjnë reformën në drejtësi.
Zëdhënësi i Presidentit Tedi Blushi shkruan se Ilir Meta i qëndron besnikërisht Reformës në Drejtësi të bërë me 140 vota në Kuvend, falë këmbënguljes së tij dhe se “Drejtësinë e re ‘gruaja’ e Bilalit e kapi me ligje antikushtetuese, që vazhdon t’i miratojë dhe sot”.
Presidenca paralajmëron Ramën të mos e provokojë popullin e 2 marsit.
“Drejtësinë koreanoveriore të “gruas” së Bilalit, shqiptarët e kanë provuar për 50 vite, ndaj çdo certifikatë të “zonjës Bilali”, do ta hedhin në koshin e plehrave.
Ilir Meta i qëndron besnikërisht Reformës në Drejtësi të bërë me 140 vota në Kuvend, falë këmbënguljes së Tij kur ishte Kryetar i Kuvendit dhe këtë e dinë mirë të gjithë shqiptarët.
Drejtësinë e re, që se kapi dot me Kushtetutë, “gruaja” e Bilalit e kapi me ligje antikushtetuese, që vazhdon t’i miratojë dhe sot.
Të mos ketë merak se më 25 prill do ta marrë vlerësimin e merituar nga mbarë populli i Shqipërisë.
Drejtësia e pavarur do vijë vetëm nga vota e lirë dhe e shenjtë.
Kush prek votën e lirë do t’i pritet dora bashkë me thonjtë, që kanë kapur për fyti shtetin dhe drejtësinë.
“Gruaja” e Bilalit më kot harxhon para me lobistë për deklarata, certifikata dhe sondazhe të rreme.
Bën mirë, që lekët e vjedhura t’i kursejë për të paguar avokatët mbrojtës, kur të japë llogari para drejtësisë.
Mos e provoko popullin e 2 Marsit se është shumëfishuar në një vit falë zullumeve të shtuara edhe në kohë pandemie!”, deklaron Presidenca