-Njeriu që fitoi në Kosovë si në një Referendum popullor kërkon haptazi që edhe në Shqipëri qytetarët të dalin masivisht në votime për të ndryshuar në mënyrë rrënjësore qeverisjen. Ai dje u prit nga Presidenti Meta dhe shefi i opozitës shqiptare Lulzim Basha, ndërkohë që mediat pranë qeverisë e sulmuan liderin e VetVendosjes.
Fituesi i zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka dalë dje zyrtarisht kundër kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, Albin Kurti ka zgjedhur që pas fitores së tij të madhe e historike, pikërisht vizitën e parë ta zhvillojë në Shqipëri për të dhënë mesazhe të forta politike në Tiranë. Në një konferencë të zhvilluar në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosjes në Tiranë, e cila do të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 prillit si subjekt politik me tre kandidatë në gjithë vendin, Albin Kurti kërkoi të votoheshin përfaqësuesit e kësaj force politike, duke dhënë mesazhin e qartë se Shqipërisë i duhet ndryshim. “Ajo që kemi nevojë në Shqipëri dhe Kosovë është gjithëpërfshirja sociale dhe pjesëmarrje qytetare. Mirëqenia duhet të jetë për të gjithë. Ndryshimet në Kosovë janë bërë, edhe Shqipëria ka nevojë ndryshime sepse shqiptarëve u takon më shumë dhe shqiptarët meritojnë më mirë”, tha Kurti. Duke folur për rëndësinë që ka ndryshimet politike në Shqipëri, Albin Kurti deklaroi se më 25 prill do të vinte në Tiranë si votues, pasi është dhe nënshtetas i Shqipërisë. Deklaratat e Albin Kurti dje, për zgjedhjet në Shqipëri, u pritën me sulme dhe kritika nga mediat afër qeverisë “Rama”, me argumentin se kjo është ndërhyje në fushatën elektorale të Shqipërisë. Të njëjtën deklarata ka bërë dhe Edi Rama disa muaj më parë për vizitën e Presidentes në detyrë Vjosa Osmani në Shqipëri. Ndërkohë duhet kujtuar se është Edi Rama politikani i parë shqiptar që jo vetëm ka ndërhyrë hapur në zgjedhjet në Kosovë duke mbështetur një forcë të caktuar, por edhe duke marrë përsipër që të flasë edhe për ndarjen e kufijve të Kosovës. Pasi kryeministri ynë ka diskutuar fshehtas kufijtë e Kosovës, pa i pyetur partitë e dhe politikanët e saj, është pak e tepërt t’u kërkosh drejtuesve në Prishtinë të mos merren me atë që po ndodhë në Shqipëri. Edi Rama mori përsipër të vendos për fatin e Kosovës pa pyetur askënd dhe politikanët në Kosovë, që kanë dhe pasaporta shqiptare, nuk mund t’ua heq njeri të drejtën të vendosin për fatin politik të Edi Ramës me 25 prill. Në një farë mënyrë, qëndrimi i mëtejshëm i Edi Ramës në pushtet nuk është vetëm problem për Shqipërinë, por dëmton direkt dhe interesat e shtetit të Kosovës. Ndërsa opozita dhe qytetarët në Tiranë protestojnë dhe denoncojnë rënien e demokracisë, korrupsioni, krimin e kapjen e shtetit, në Kosovë Edi Rama bëri një dëm edhe më të madh, vuri në diskutim kufijtë e shtetit që fituan me luftë. Ndaj dhe mesazhet e Albin Kurtit, që dikujt mund t’i duken si “hyrje në punët tona”, janë reagimi normal i shtetit tjetër shqiptar ku qeverisja e Ramës futi duart për përçarje politike dhe për diskutime kufijsh. Për sa kohë kryeministri ynë sillet si lider rajonal dhe flet në emër të tyre, patjetër që politikanët e Kosovës kanë të drejtë të vijnë këtu dhe të flasin për dëmet që u ka shkaktuar Edi Rama. Mesazhet që dha Albin Kurti e bëjnë dhe më të qartë kërcënimin e Rilindjes së Ramës për Shqipërinë dhe Kosovën. Nëse nuk mjaftojnë mijëra probleme që kjo qeverisje u ka vënë në kurriz qytetarëve të Shqipërisë duke i vjedhur çdo ditë, por ka dhe një rrezik shumë herë më të madh që lidhet me interesat kombëtare. Për të gjitha këto arsye, 25 prilli ka përmasat e një referendumi që tejkalon interesat e kufijve fizik të Shqipërisë. Largimi i këtij modeli qeverisë është mision kombëtar që pritet njëlloj si në Shqipëri dhe në Kosovë