Presidenti Ilir Meta deklaroi edhe njëherë se nëse mazhoranca fiton zgjedhjet e 25 prillit pa prekur votat, ai do të japë dorëheqjen nga detyra më 26 prill.
Gjatë bashkëbisedimit online me përfaqësues të shoqërisë civile, Meta tha se të gjithë krerët e partive duhet t’iu kërkojnë qytetarëve që ta ndëshkojnë partinë e tyre, nëse dikush tenton vjedhjen e votave, ashtu siç sipas tij, ata duhet të bëjnë edhe me ish-partinë e tij LSI-në.
“Kur Presidenti shkon në Durrës, në Pallatin e Kulturës Aleksandër Moisiu, për të nderuar një figurë, dhe respekton të gjitha kriteret, janë të gjitha pamjet, në bashkëpunim me Bashkinë Durrës, dhe pasi ikën Presidenti e merr policia këtë figurë intelektuale dhe i fut gjobë 50 milionë lekë. Si do të ndiheshit ju, nëse do të ishit President? Nuk dua të përmend dhe shumë fakte, që më bindin, se jemi në një klimë të jashtëzakonshme presioni që iu bëhet qytetarëve, administratës, hallexhinjve, me qëllim paracaktimin e zgjedhjeve, ashtu sic është bindja ime që të gjitha sondazhet janë të gënjeshtërta. Kështu që Presidenti do të jetë jashtëzakonisht i qetë, nëse të gjithë do të angazhohen për zgjedhje të lira e të ndershme. Së dyti, Presidenti nuk do të rrijë kurrë indiference, sepse këtu janë tronditur themelet e Republikës. Presidenti ka qenë i vetmi që ka kërkuar bashkëpunim, ka njoftuar dhe ndërkombëtarët, disa prej të cilëve kanë mbyllur sytë, për të parandaluar skandale. Një gjë duhet ta kenë të qartë të gjithë: Presidenti nuk do të rrijë indiferentë në këto zgjedhje, sepse janë themelore për 10 vitet e ardhshme.
Ne jemi këtu për shkak të degradimit të zgjedhjeve, të Kushtetutës, të heqjes së kompetencave Presidentit. Presidenti ka qenë shumë i qartë, pavarësisht toneve. Presidenti ka thënë se në qoftë se kjo shumicë konfirmohet fituese pa prekur votën, presidenti jep dorëheqjen në datën 26 prill dhe këtë le ta dinë të gjithë. Unë jam një President që nuk i jam trembur kurrë zgjedhjeve. Kam thënë dhe para dy vitesh se kjo krizë zgjidhet me zgjedhje. Nuk i jam shmangur asnjëherë kësaj sfide, por ama që ti të dhunosh dhe njëherë popullin shqiptar, kushdo qofsh, kjo është një gjë që nuk ka më ku të shkojë e ku të rrijë, sepse e dimë më c’do të thotë të humbasë edhe njëherë mundësinë Shqipëria. Kështu që Presidenti ka thënë, nëse ka dikush merak që ndikon për ish-partinë e tij, ta ndëshkojnë, nëse ajo përpiqet të vërë dorë mbi zgjedhjet. Të ndëshkojnë ish-partinë e tij. Këtë duhet ta bëjnë edhe vetë kryetarëve e partive të tjera. Për Presidentin ka rëndësi vetëm që vota të jetë e barabartë. Ama nëse kryeministri për fat të keq mbledh kryetarët e bashkive dhe iu thotë publikisht që ‘dua 800 mijë vota nga ju’, këtë nuk e di. Kjo mua nuk më duket e pranueshme. Të tjerët përpiqen ta kthejnë në një problem personal, por nuk është problem personal”, u shpreh Presidenti Meta.