Kryeministri, Edi Rama, ka vazhduar sot që në mëngjes spektaklin e tij elektoral, këtë herë duke folur për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i madh. Sipas tij, ky rindërtim është përballuar me sukses të plotë nga qeveria që ai drejton.
Duke folur për dy mandatet e tij, të konsumuara tashmë, Rama harxhoi një pjesë të fjalimit të tij për t'u mbushur mendjen qytetarëve se nuk kishte 8 vite që qeverisje, por vetëm 7.5.
LEXO EDHE:
Tallja e Ramës me vaksinat/ E moshuara: Do e bëjmë te varri
Duke qenë se në shfaqjet e tij elektorale me regji qendrore, nuk ka gazetarë e as të pranishëm që ta pyesin se çfarë ka bërë atëherë në 7 vite e gjysmë, Rama e kaloi edhe këtë alibi qesharake.
"15 muaj më parë ne u zgjuam nga një lëkundje e tmerrshme, që ngjalli ankthin e madh të asaj se çfarë kishte ndodhur rreth nesh. Shumë shpejt mësova që diku pranë në Durrës, tërmeti kishte goditur shumë fort, dhe më pas minut pas minuti, informacioni shtrihej e shtrihej, duke krijuar një perimetër që sot e gjithë ditën ne po kurojmë plagët e hapura atë natë.
Sot kur ne jemi në rrugën drejt 25 Prillit dhe ku shumëkush flet për 8 vite, unë dëshiroj që të bëj një korrigjim, në fakt nuk janë ende 8 vite, pasi ne kemi hyrë në zyrë në gjysmën e dytë të shtatorit, të 2013-tës, por jo vetëm kaq, ky mandat ka qenë më i jashtëzakonshmi i një qeverie shqiptare, pasi është thyer në mes nga tërmeti dhe nga pandemia, duke përmbysur të gjitha planet tona, duke e kthyer vëmendjen tërësisht vëmendjen në dy drejtime që na kanë vënë përballë dy sfidave të jashtëzakonshme.
E them me një bindje të plotë, ishin dy goditje që do kishin rrëzuar përtokë një elefant, dhe jo më një qeveri të Shqipërisë me mjetet e kufizuara që ka. Dy sfida që askush tjetër, nuk do të mund që ti përballonte me forcën, me vullnetin dhe me dinjitetin që po i përballojmë ne, Partia Socialiste që është në qeverisjen e këtij vendi. Kur kam thënë që do i nxirrja dhe nga dheu paratë, se ku do i gjeja për këto plagë që duhen kuruar dhe shëruar, ka qenë një fjalë e dalë nga zemra, por që mendja nuk arrinte dot ta mbështeste në argumenta.
Ka qenë një fjalë e thënë nga zemra, dhe nga ambicia, për të pasur një strehë për ata mijëra persona që humbën gjithçka në ato pak minuta. Kam marrë rrugën dhe kam bërë me dëshirën më të madhe dhe me vullnetin më të fortë lypësin, kudo ku kam mundur, që nga perëndimi deri poshtë në lindjen e mesme.
Arritëm që të siguronim një mbështetje rekord, që na dha frymë, që na dha energji dhe na forcoi bindjen që ne do tia dilnim. Në territor punohej çdo natë për verifikimin e dëmeve, një punë e jashtëzakonshme në kushte të jashtëzakonshme”, deklaroi ai.