Pasuria e gjyqtarit të Tiranës, Kastriot Gramshi, është bërë objekt i një hetimi nga prokuroria e posaçme SPAK, ku tashmë për këtë hetim është njoftuar ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit.
Gramshi, njihet si gjyqtari që urdhëroi ekstradimin në Itali të Nezar Seitit, financierit të grupit të Moisi Habilaj në Vlorë.
Ekstradimi i ndodhi në një moment kur ndaj tij kishte një procedim penal në prokurorinë e Krimeve të rënda, për trafik droge të kryer në bashkëpunim.
Por pavarësisht se për këtë çështje, Kontrolli i Lartë i Drejtësisë nisi një hetim disiplinor, sot e kësaj dite nuk ka një konkluzjon apo masë konkrete të marë nga gjyqtari, Kastriot Gramshi.
Por në një kohë kur ky hetim disiplinor kundër gjyqtarit, nuk dihet se si do e ketë fundit, tashmë prokuroria e posaçme SPAK, ka hapur një çështje, duke futur në skaner pasurinë e tij.
Në deklaratën e vitit 2014 që Kastriot Gramshi ka dorëzuar në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurisë, rezulton se gjyqtari ka marrë dhuratë nga Gjergj dhe Diella Gramshi, vlerën prej 17,500 USD.
Gjithashtu, nuk ka sqaruar në formular se kush e paguan kredinë, apo përdoren paratë e një qiradhënie për të paguar kredinë.
Nëse janë paguar taksat e pronës në USA, janë paguar taksat e fitimit të qërasë në USA, kush i ka paguar këto taksa apo kush është vlera e të ardhurave për këtë pronë të deklaruara nga Kastriot Gramshi, por edhe bashkëpronari tjetër, Kreshnik Gramshi.
Në deklaratën periodike të vitit 2016, Kastriot Gramshi, deklaron se ka patur të ardhura nga qëraja 9,800 USD dhe ndërkohë “IRS Tax-Return” për periudhen 2015-2016 ka qënë 18,242 USD, pa përcaktuar se cilat të ardhura ishin të mbitaksuara apo ka përfituar ndonjë rimbursim pa shkak të deklaruar.
Në këtë zonë ky apartament vlerësohet se vlera e dhënies me qëra është 2,020 USD në muaj.
Ndërtimi pa leje
Sipas dokumentacionit, rezulton se në datën 18 korrik 2016 Kastriot Gramshi, bashkë me të atin Gjergj Gramshi, kanë blerë apartamentin 63.50m2 në Rr “Muhamet Gjollesha”. Kjo pasuri është blerë me vlerën 48.000 Euro.
Kjo është deklaruar edhe në deklaratën periodike për vitin 2016.
Mirëpo nga ortofotot 2015 dhe ortofotot 2018, kuptohet fare qartë që ky apartament ka ndryshime në vëllim dhe siperfaqe nga projekti fillestar i ndërtimit, të cilat janë bërë në kohë të ndryshme.
Dukshëm, duket shtesa në çati, e cila ngrihet në gjithë sipërfaqen e apartamentit.
Gjithashtu dukshëm duken ballkonet të cilat nuk janë pjesë e fasadës sipas projektit fillestar të godinës dhe janë ndërtim pa leje.
Kjo pasi në rregjistrin elektronik të lejeve në bashkinë e Tiranë, nuk ka një leje të miratuar për Kastriot dhe Gjergj Gramshin.
Në deklaratën e ILDKPKI të 2018 deklarohet shpenzim 7,000 USD për arredim.
Pra me deklaratën e 2018, gjyqtari Kastriot Gramshi pranon që ka bërë ndërhyrje ne apartamentin e tij dhe ka shumë dyshime që këto ndërhyrje ti ketë bërë pa lejë ndërtimi