Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka uruar mësuesve festën e 7 Marsit, nga Korça, ku ka vlerësuar edhe disa prej arsimtarëve të këtij qyteti.
Në një postim në facebook, Kreu i Shtetit shprehet i lumtur që në këtë ditë ka takuar edhe disa të rinj, ku theksoi se është e rëndësishme t’i kushtohet rëndësi edukimit patriotik të të rinjve.
Po ashtu Presidenti Meta tha se: “Sot është dita për të bërë një homazh, për të nderuar dhe shprehur një mirënjohje të thellë edhe për të gjithë mësuesit shqiptarë në Kosovë, për sakrificat sublime të bëra prej tyre në kushte terrori e gjenocidi, për përhapjen e gjuhës shqipe dhe edukimin patriotik të të rinjve.”
Postimi i plotë i Presidentit:
Shumë i lumtur, që sot më 7 Mars, në këtë ditë të bekuar për mbarë kombin tonë, të takohesha në Korçë me Herolindën, Liridonën dhe shumë të rinj e të reja nga Kosova, që festonin Ditën e Mësuesit.
Është tepër e rëndësishme t’i kushtojmë më shumë rëndësi edukimit patriotik të të rinjve shqiptare dhe mbrojtjes së vlerave dhe simboleve kombëtare më përbashkuese.
Sot është dita për të bërë një homazh, për të nderuar dhe shprehur një mirënjohje të thellë edhe për të gjithë mësuesit shqiptarë në Kosovë, për sakrificat sublime të bëra prej tyre në kushte terrori e gjenocidi, për përhapjen e gjuhës shqipe dhe edukimin patriotik të të rinjve.
Në këtë vizitë në Korçë, Presidentin Meta e ka shoqëruar edhe zëdhënësi i tij Tedi Blushi, i cili ka vizituar gjimnazin ku ka kryer shkollën e mesme. Prej aty, Blushi ka uruar për 7 mars të gjithë mësuesit.
“Sot, kur të gjithë shqiptarët i kanë sytë nga Korça, së bashku me Presidentin Meta në Gjimnazin “Raqi Qirinxhi”, ku kam bërë shkollën e mesme, për t’ju uruar të gjithë mësuesve të mi të dashur dhe të paharruar: GËZUAR 7 MARSIN!” shkruan Tedi Blushi