Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe u akuzua dje nga një biznesmen se ka shkelur ligjin duke ndërhyrë në të dhënat e tij personale dhe duke i bllokuar biznesin, vetëm sepse ishte mbështetës i partive opozitare.
Drejtori Gonxhe reagoi për skandalin që e përfshintë atë politikisht, duke thënë se vëllai i kryetares së LSI, Monika Kryemadhi, i cili është inxhinier në profesion ka marrë nga drejtoria e tij miliona lekë duke aluduar për tendera.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka publikuar sot dokument ku vëllai i saj ka marrë vetëm pagën si inxhinier dhe jo tendera siç pretendoi dje Gonxhe dhe sot Edi Rama. “Drini Kryemadhi ka qenë një ndër inxhinierët, që ka bërë hartimin e Kodit të parë Rrugor për Republikën e Shqipërisë, në vitin 1998. Sot e 20 vjet më vonë, Shqipëria punon me të njëjtin Kod Rrugor të atyre ekspertëve të nderuar. Në punën që ti i përmend, ai është punësuar nga kompania Zviceriane, që ti e përzure për t’ja bërë gati një oligarku. Pagat e inxhinierëve janë të larta, pra ai ka marrë 303.709 lekë ose 2450 euro në muaj. Por, ti se logjikon dot vlerësimin e të aftit, sepse profesionistët e Shqipërisë i degdise rrugëve të Gjermanisë dhe të botës, e në vend të inxhinierëve mekanik ti merr inxhinier sufllaqesh”,- shkruan Kryemadhi në reagimin e saj.
Mesazhi i plotë i Monika Kryemadhit në Facebook:
“Kjo është paga e vëllait tim.
Dhe mbi këtë pagë ke mbajtur edhe taksën mbi pagën, siç ke taksuar çdo profesionist tjetër të shtresës së mesme, që çdo ditë po pakësohen në vend.
Drini Kryemadhi është inxhinier mekanik, i vërtetë, jo si injorantët që ke punësuar në administratë, si fuksa sigurimi.
Drini Kryemadhi ka qenë një ndër inxhinierët, që ka bërë hartimin e Kodit të parë Rrugor për Republikën e Shqipërisë, në vitin 1998. Sot e 20 vjet më vonë, Shqipëria punon me të njëjtin Kod Rrugor të atyre ekspertëve të nderuar.
Në punën që ti i përmend, ai është punësuar nga kompania Zviceriane, që ti e përzure për t’ja bërë gati një oligarku. Pagat e inxhinierëve janë të larta, pra ai ka marrë 303.709 lekë ose 2450 euro në muaj.
Por, ti se logjikon dot vlerësimin e të aftit, sepse profesionistët e Shqipërisë i degdise rrugëve të Gjermanisë dhe të botës, e në vend të inxhinierëve mekanik ti merr inxhinier sufllaqesh.
Më vjen mirë për Drinin. Si inxhinier që është, është shumë racional. Do fitoka dhe një shpërblim tjetër prej shpifjeve të tua dhe të Gonxhes.
Komento pagën 10 milionë lekë në muaj të pensionistit, babit të Alqit, që merr te inceneratori. E di vetë ti”.