Ish-kryeministri Sali Berisha, në një konferencë për mediat pas vendimit të DASH që e shpalli non grata, deklaroi se do të padisë në gjykatën e një vendi neutral Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për ato që i cilësoi si shpije ndaj tij.
Berisha tha se avokatët e tij në Francë do të ndjekin këtë çështje për të sqaruar akuzat që janë bërë në adresë të tij. Berisha tha se vendimi për padinë ishte i detyruar, pasi ishte një çështje dinjiteti.
“Jam këtu për t’iu informuar për një vendim të pazakontë. Për arsye që janë tërësisht të pa njohura për mua, Sekretari Amerikan i Shtetit ka publikuar dje në mënyrën më të papritur, më shpifëse vendimin. Dua të theksoj se që kur kam filluar jetën time politike, por ju garantoj se që kur kam prekur rrogën e parë në borderonë e shtetit, e deri dje, nuk ka njeri në botë që mund të thotë se unë jam apo kam qenë i implikuar në një aferë të cfarëdoshme korruptive. Prandaj dhe unë kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral dhe të respektuar, sic është Franca, që të ngrejë ndaj z. Blinken një padi direkte për shpifje publike nga Gjykata e Parisit”, – tha Berisha.
Ish-kryeministri deklaroi se dokumentet kundër tij janë montuar në zyrën e kryeministrit Edi Rama. “Nëse sekretari i Shtetit do të paraqiste prova do të konsideroja çdo gjë, natyrisht jo prova të montuara në Tiranë në zyrat e Edi Ramës. Le të nxjerrin prova. Unë kam hapur gjyq e ti paraqesin para gjykatës. Ai është diplomati më i fuqishëm në botë unë qytetar privat, por besoj tek drejtësia. Unë kërkoja që paraqiteshin prova kundrejt meje, por një gjë e tillë nuk u bë, prandaj do të këmbëngul që të paraqiten prova në gjykatë”,– tha Berisha.
Berisha tha se padia e tij nuk është akt ndaj SHBA-ve, të cilat ai tha se mbeten të vlerësuara dhe partner strategjik, por një padi personale ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit.
I pyetur nga gazetarët për marrëdhëniet e tij me PD, Berisha tha se ai është pjesë e PD dhe deklaratën e Lulzim Bashës dje pas vendimit të DASH e cilësoi normale. I pyetur lidhur me zërat që e shohin vendimin e DASH si një sinjal për qeverisje të përbashkët mes PD dhe PS, Berisha tha: “Bashkëqeverisja PD-PS do ishte fatalitet. Vendit i duhen zgjedhje të ndershme, jo qeveri e përbashkët”.